Editorial

Faleminderit Parashqevi! Na tregove pasqyrën ku ne dukemi pa dinjitet

Nga Gazeta 'Si' - Shpërfaqja e këngëtares së veçantë Parashqevi Simakut në rrjetet sociale ishte e dhunshme. Për sa kohë ishte edhe pa vullnetin e saj, mbetet dhe poshtëruese.

Rrëmuja digjitale për jetën mjerisht pasurore të artistes së adhuruar nga shqiptarët e viteve 80-90 nuk e ridimensionoi por i shkërmoqi identitetin edhe më shumë.  

Edhe pse me një status social të trishtë, Parashqevi Simaku u tregoi ca shqiptarëve të kësaj ane sesa fatkeq janë. Ata dhe jo ajo!.

Parashqevia edhe pse e varfër na përplasi fort në fytyrë dëshminë e gjallë se dinjiteti dhe përmasat e saj humane mbeten po aq të fisme sa dhe personaliteti i saj artistik, përkundër si u trajtua publikisht online.   

Ajo që kur iku drejt Amerikës, si një zgjedhje e saj personale, asnjëherë nuk ka folur as mirë por dhe as keq për Shqipërinë. Edhe kontaktet me publikun por dhe të afërmit siç dëshmojnë tani, i ka patur të rralla, përtej ndonjë interviste shumë të largët.

Por në asnjë rast ajo nuk është ankuar. Asnjëherë nuk ka kërkuar ndihmë. Ajo jetoi jetën e saj, brenda halleve të saj dhe jo siç ndodh me shumë vipa të këtyre kohëve që dhe kur ju djegin sytë nga qepa rendin ta tregojnë online sesa shumë po lotojnë!! Siç shumë shqiptarë të tjerë, ajo kurrë nuk na i ka bërë publike vështirësitë e saj. Ajo provoi të jetojë ndryshe dhe ndoshta nuk ja doli po nuk fajësoi askënd. 

Ajo nuk ka dashur ta kërkojmë, ndaj nuk ka pse të presim nga ajo, pas kaq shumë pluhuri harrese, buzëqeshjen e njeriut të humbur që u gjet për t’u shpëtuar. Ajo ka jetuar brenda dinjitetit të saj njerëzor e shpirtëror që jo domosdoshmërisht është material dhe pasuror.

Por çfarë bëmë ne?! Pasi e zbuluam me ngadhënjimin e arkeologut që zbulon i pari kufomën e njeriut të parë në tokë, si fillim i ofruam asaj mëshirë.

I ofruam mëshirë kur ajo na e lypi. E trajtuam si një qenie jo humane dhe prisnim prej saj të shikonte me kërshëri buzëkuqin e t’i gëzohet si vajzë e vogël që po i ngjan bukurisë së nënës.

I thamë 'ka dhe hotel' sepse prisnim të flinte në tokë. E rigjetën Parashqevinë por e trajtuan si kavie për të parë që nëse i japin një gotë verë; a do këndojë aq bukur si dikur?

Nëse i japim një unazë a do t’i shkëlqejnë sytë si dikur? I ofruan edhe një vakt të mirë gastronomik por hidhnak në shpirt për ta parë nëse do hante me duar. A thua Parashqevia ishte rritur mes kafshëve.?! Por ndoshta dhe kjo mund te jetë?

U rrit si qenie ndryshe mes njerëzve me sjellje brutale e kafshërore, të parët që ju afruan edhe sot. 

Kjo ndodh sepse për horrat dhe injorantët që tejmbushin rrjetet sociale të dhënë pas klikimeve, të jesh i varfër nuk ekziston. Nuk ke personalitet dhe as dinjitet njerëzor. Je askush! Shqipëria ka kohë që jeton mes të varfërve dhe shumë të pasurve.

Ne ende nuk dimë të jetojmë në mes, të jemi në ekulibër. Ne kemi ndërtuar një Shqipëri ku të pasurit kanë të drejtë, zotërojnë dhe meritojnë gjithçka ndërsa të varfrit janë hiç, asgjë.

Kjo pjesë e Shqipërisë që ju vetëofrua Parashqevisë është e tharë shpirtërisht dhe dinjiteti njerëzor ka degraduar si gjëja më pavlerë. Këtu pështirazi nuk matesh nga hapësira shpirtërore, fuqia e mendjes dhe anagazhimi publik. Statusi material është kuti i drejtësisë dhe i vlerës.

Ç’vlerë kanë angazhimet e pasanikëve të kësaj ane apo për ta ndihmuar me shtëpinë apo gjësend tjetër, e për ta afishuar bujshëm bujarinë e afërmendësuar?

Ata nuk i dhanë po i vodhën Parashqevisë në këtë rast emrin e mirë të cilën mesa duket nuk e kanë.

Parashqevia e meriton ndihmën por jo mëshirën. Meriton t’i japësh të paktën aq sa ka dhënë. Por përballë saj, shqiptarët u treguan të vegjël dhe më të mjerë.

Parashqevisë në metronë e New Yorkut i vunë përballë celularin për ta regjistruar për rrjetet sociale por ajo qëndroi si pasqyrë kur përmes thjeshtësisë së saj na tregoi fuqishëm sa sa poshtë kemi rënë. Faleminderit Parashqevi!

“Mjerimi nuk lyp mëshirë,

Kërkon vetëm të drejtë!

Mëshirë...Bijë bastarde e etërve dinakë..!”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë