Ngjarje

Plagosja e 17-vjeçarit, ministrja Manastirliu kërkon pezullimin e drejtuesve të shkollës dhe oficerit të sigurisë

Nga Gazeta Si- Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu i ka kërkuar Drejtorisë Rajonale të Fierit pezullimin e drejtuesve të shkollës së Cakranit në Fier dhe oficerit të sigurisë, deri në përfundim të verifikimit për zbatimin e protokolleve të sigurisë të ndjekura dhe në përfundimin e hetimeve mbi ngjarjen ku mbeti i plagosur një 17-vjeçar, vendim që nuk është marrë në ngjarje të tilla të ndodhura në shkollë, as në rastin e plagosjes me thikë në Gjimnazin e Fushë-Krujës disa muaj më parë e as në rastin e fundit ku fatkeqësisht ndërroi jetë 14-vjeçari Martin Cani.

Manastirliu zhvilloi sot një takim me drejtuesit e shkollave në Fier për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm.

Në takim është diskutuar edhe marrja e masave shtesë për kontrollet fizike në çdo shkollë, dhe angazhimin e plotë të komisioneve të sigurisë në institucionet arsimore për zbatimin efektiv të protokolleve të sigurisë.

Incidenti, sipas burimeve nga Policia e Fierit, ka nisur pas një debati të krijuar në rrjetin social Snapchat.

Tensioni midis dy nxënësve 17-vjeçarë ka ndodhur në oborrin e shkollës, ku situata ka agravuar deri në përdorimin e një mjeti prerës nga njëri prej tyre.

Autori i dyshuar është identifikuar dhe shoqëruar nga policia për marrjen e dëshmisë dhe procedurat e mëtejshme ligjore. Ndërkohë, policia vazhdon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë