Rend dhe Ligj

RENEA, operacion në Shkodër pas masakrës në Dobraç. Kapen armë dhe mjete të blinduara. Firmosen 5 urdhër-arreste

Gazeta Si - Një operacion i madh policor është zhvillohet në Shkodër mëngjesin e kësaj të enjteje, me qëllim mbledhjen e provave për zbardhjen e masakrës së 30 tetorit, ku mbetën të vrarë 4 persona.

Sipas burimeve paraprake, me urdhër të SPAK, Forcat speciale RENEA të ardhura nga Tirana, kanë ushtruar kontrolle për sigurimin e provave materiale që lidhen edhe me ngjarjet e fundit kriminale.

Operacioni është zhvilluar në kuadër të hetimeve që po kryen SPAK për të ashtuquajturën “Masakra e Dobraçit”, ku humbën jetën Arlind Bushati, Hamza Lici, Flutura dhe Bashkim Basha. Burime jo zyrtare bëjnë me dije se 5 urdhër-arreste janë firmosur me urdhër të prokurores e Elida Kaçkini e cila po heton masakrën e 30 tetorit 2024 me 4 viktima në Shkodër

Forcat RENEA kanë ushtruar kontrolle gjatë mbrëmjes së të mërkurës dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm në Shkodër dhe disa fshatra pranë, ku janë sekuestruar 5 automjete të blinduara.

Mësohet se në fokus të kontrolleve kanë qenë banesa të personave me precedentë penalë dhe të skeduar nga policia dhe referuar të njëjtave burime, janë gjetur armë dhe sende të jashtëligjshme, të cilat janë sekuestruar.

Po ashtu mësohet se kontroll është ushtruar edhe në banesën e Izmir Sakicës, i cili është shpallur në kërkim pas atentatit të Dobraçit, ku mbetën të vrarë katër persona, dy të pafajshëm dhe shënjestrat Hamza Lici dhe Arlind Bushati. Sipas informacioneve paraprake, kontrolle janë ushtruar edhe në banesa të fisit Bajraj dhe Bilali.

Atentati i 30 tetorit, mbetet i pazbardhur, ndërsa i ka kaluar për hetim SPAK-ut, i cili dyshon se është realizuar nga një grup i fuqishëm kriminal.

Akoma nuk ka një njoftim zyrtar nga ana e SPAK, ndërsa detaje të tjera pritet të mësohen në vijim lidhur me arsyet e kontrolleve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë