Muzike

Festivali i fundvitit / Cilat janë risitë që sjell edicioni i 63-të

"Këtë vit do të ketë vetëm një çmim i cili do të jetë dhe përfaqësues i Shqipërisë në Festivalin Europian"

Nga Gazeta ‘Si’- Dhjetori përveç festave të fundvitit tashmë sjell me vete dhe kërshërinë e po ashtu kuriozitetin për Festivalin e Këngës në RTSH.

Prej pak ditësh në Youtube janë publikuar këngët pjesëmarrëse që do të prezantohen në edicionin e 63-të të tij. Vihen re kryesisht këngëtarë të rinj dhe me talent, e po ashtu edhe emra pak të njohur të muzikës shqiptare.

Por ajo që bie në sy është rikthimi i Elvana Gjatës si konkurente pas debateve të shkaktuara në festivalin e vitit 2019 duke mos e shpallur fituese, gjë që ngjalli pakënaqësi mes fansave në drejtim të jurisë së festivalit.  Mihallaq Andrea, një emër i njohur dhe pjesmarrës i hershëm i festivaleve të fundvitit  është një tjetër konkurrent këtë edicion të 63-të .

Risitë e këtij edicioni

Në konferencën për shtyp të mbajtur në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar, autorja e festivalit  Zefina Hasani, prezantoi ekipin realizues ku ceku temat dhe risitë e këtij festivali.

Drejtoresha e festivalit Aurora Polo u shpreh entuziazte për nivelin e lartë artistik të këtij edicioni dhe garantoi suksesin e tij. Po ashtu, Drejtoresha artistike Elhaida Dani u shpreh e emocionuar që këtë vit gjendej në anën tjetër të medaljes, tashmë jo si këngëtare pjesmarrëse por si kuratore artistike e festivalit. “Pritshmëritë e publikut janë të mëdha- theksoi ajo- dhe ne do të jemi në nivelin që ata kërkojnë.

Pyetjes se sa çmime do të ketë dhe se kush do të jetë çmimi që përfaqëson Shqipërinë në Eurosong, Elhaida Dani iu përgjigj duke sqaruar se këtë vit do të ketë vetëm një çmim i cili do të jetë dhe përfaqësues i Shqipërisë në festivalin europian. Ajo gjithashtu zbuloi se tema e festivalit këtë vit do të jetë ndërthurja mes modernes dhe tradicionales. Një rikthim në rrënjët tona.

Regjisori Redi Treni zbuloi disa nga risitë të cilat kishin të bënin kryesisht me sistemin audio dhe video të transmetimit të tij. Skenografia  për herë të parë do të jetë kinetike ose thënë ndryshe lëvizëse. 

Alfred Kaçinari dhe Shpetim Saraçi dy producentët muzikorë të festivalit vunë theksin tek cilësia e materialeve muzikore konkurente e po ashtu drejtuesi i band-it Elton Deda u shpreh se ky festival do të jetë një festë e madhe e muzikës. Ndërkaq festivali do të prezantohet nga treshja Enkel Demi, Ornela Bregu dhe Dalina Buzi dhe orkestra do të udhëhiqet nga dirigjente Blerta Ristani.

Në fund autorja Hasani zbuloi se do të ketë dhe një natë të dedikuar poezisë dhe teksteve të këngëve ndër vite duke e vënë fokusin jo vetëm tek muzika por edhe te fjala.  

Festivali i 63-të i këngës do të zgjasë katër netë dhe do të mbahet në datat 19, 20, 21 dhe 22 dhjetor në Pallatin e Kongreseve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë