Gazeta Si – Zyra Federale për Emigracionin dhe Refugjatët (Bamf), ka bllokuar vlerësimin e të gjitha kërkesave për azil të paraqitura nga refugjatët sirianë që mbërrijnë në Gjermani.
“Për momentin situata është veçanërisht konfuze në Siri. Është shumë e vështirë të parashikohet se si do të zhvillohet situata politike në vend. Për këtë arsye, për momentin nuk është e mundur të shprehen gjykime serioze”, deklaroi një zëdhënës i Bamf. Raportohet se janë ende 47,270 kërkesa për azil në pritje të shqyrtimit.
Ndërkohë, Mohammed Al-Bashir, kryeministri aktual i “qeverisë së shpëtimit”, i cili menaxhon provincën e Idlibit, është ngarkuar me formimin e një qeverie të re siriane për të menaxhuar fazën e tranzicionit.
Televizioni Al Jazeera shpjegon se vendimi erdhi gjatë një takimi midis udhëheqësit të “Hayat Tahrir al-Sham” (Hts), Abu Mohammad al-Jolani dhe ish-kryeministrit të regjimit sirian, Mohamed al-Jallali, i ngarkuar me menaxhimin për çështjet e qeverisë.
Muhammad al Bashir është kreu i Qeverisë Siriane të Shpëtimit, një organizatë e krijuar gjatë mërgimit të rebelëve dhe që vepron për vite në hije për t’i shpëtuar shtypjes së regjimit të Bashar al Asadit.
I lindur në provincën e Idlibit në vitin 1983, Al Bashir fitoi një diplomë në Inxhinieri Elektrike dhe Elektronike nga Universiteti i Aleppos në vitin 2007 dhe një diplomë në Sheriat dhe Drejtësi nga Universiteti Idlib në vitin 2021.
Në vitin 2022, ai mori postin e Ministrit të Zhvillimit dhe Çështjeve Humanitare të Qeverisë Siriane të Shpëtimit.
Sipas transmetuesit pan-arab të Katarit “Al Jazeera”, Al Bashir ishte ngarkuar me menaxhimin e fazës së tranzicionit të Sirisë – pas rënies së Asadit – gjatë një takimi me udhëheqësin e lëvizjes salafiste-xhihadiste “Hayat Tahrir al Sham” (Hts), Abu Muhammad al Jolani (i cili udhëhoqi përparimin e fraksioneve të armatosura rebele) dhe ish-kryeministrin e qeverisë së Asadit, Mohammad Ghazi al Jalali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.