Gazeta Si – Prokuroria e Lezhës ka përfunduar hetimet ndaj portugezit Ruben Saraiva, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin.
Saraiva, i cili ndodhet në paraburgim, iu paraqit këtë të premte në prokurori nën masa të rrepta sigurie, ku iu komunikua akuza për “vrasje për gjakmarrje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Dosja ndaj Saraivës është tashmë gati për t’u dërguar në Gjykatën e Lezhës për gjykim.
“Sot ka ndryshuar pozicioni procedurial. Nga person i dyshuar është akuzuar zyrtarisht si person që ka kryer vrasjen e biznesmenit. Tashmë është i pandehur. Ne do njihemi me aktet e Prokurorisë. Nuk ka asnjë provë tjetër përveç atyre që janë publike”, deklaroi avokati i tij, Kujtim Cakrani.
Megjithatë, kjo çështje është veçuar nga të akuzuarit e tjerë, të cilët ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar dhe ende nuk janë ekstraduar në Shqipëri.
Ardian Nikulaj, u vra në lokalin e tij në Shëngjin në shkurt të vitit 2023. Në pamjet e kamerave shihej një person me skafandër në kokë, maskë në fytyrë e jelek fosforeshent që e qëlloi me armë zjarri të paktën 6 herë.
Prokuroria e Lezhës thotë se Saraiva u kontraktua për të finalizuar planin e thurur dhe financuar nga Edmond Haxhia, tashmë i arrestuar në Britani.
Dosja penale tashmë pritet të dërgohet për gjykim në Gjykatën e Lezhës, e veçuar nga 5 të akuzuarit e tjerë, mes të cilëve 4 shtetas anglezë, të cilët nuk janë ekstraduar ende nga Britania e Madhe.
Më 27 gusht, gjykata britanike vendosi ekstradimin e 3 nga 4 prej anglezëve. Shqiptari Edmond Haxhia, po i arrestuar atje, gjithashtu ndodhet në proces ekstradimi.
Ai dyshohet si porositësi i krimit për motive gjakmarrjeje, në emër të kushërinjve të tij, familjes Lekstakaj. Krimi dyshohet se është kryer me motive gjakmarrjeje, kurse i dyshuari si killer, portugezi Saraiva, nuk e ka pranuar akuzën e vrasjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.