Nga Gazeta Si- “Unë kam lindur me problemet e aftësisë së kufizuar, kam një këmbë më të shkurtër se tjetrën. Gjithmonë e kam patur problem lëvizjen, por sot që jam 76 vjeç, situata është rënduar edhe më shumë”.
Sadetja është një nga banoret e kompleksit të banesave sociale në Shkozë, prej vitit 2017, e pamartuar. Ajo jeton në katin e 4-rt pa ashensor, si përfituese e skemës së strehimit nga bashkia e Tiranës.
Për shkak se nuk i ngjit e zbrit shkallët sa herë ka nevojë, e moshuara detyrohet të paguajë një person për ti kryer pagesat e dritave, ujit dhe blerjet në market.
Familjarët e saj ja mundësojnë shpenzimet për pagesat e personave që e ndihmojnë, por jo të gjithë e kanë këtë mundësi.
Suela Lala, drejtuese e Fondacionit ‘Së bashku’ tregon se ky fundvit e gjen kategorinë e personave me aftësi të kufizuar të harruar e të padëgjuar.
Sipas saj, ndonëse po ndërtohet vazhdimisht, aksesi i lëvizjes dhe transporti mbeten problemet themelore të pazgjidhshme në Tiranë e rrethe.
“Ndjehemi të përjashtuar nga mjediset publike, si pallatet, rrugët, trotuaret dhe pse ligjërisht kemi të drejtë të aksesit të lëvizjes dhe transportit si gjithë të tjerët. Ne jemi i vetmi vend në rajon që nuk ka element, shirita me reliev për personat që nuk shikojnë dhe ata nuk mund të lëvizin të pashoqëruar në qytet”, thotë për Gazetasi.al, zonja Lala e cila është vetë me aftësi të kufizuara.
Transporti në kryeqytet, dhjetëra ankesa te komisioneri antidiskriminimit
Personat me aftësi të kufizuar, ndër vite adresojnë ankesa tek komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi, por transporti mbetet një çështje ende problem për këtë kategori.
Një nga kërkesat më të fundit të kësaj kategorie lidhet me linjën e re hekurudhore Tiranë-Durrës që po ndërtohet.
Drejtuesja e Fondacionit ‘Së bashku’ tregon për Gazetasi.al se i janë drejtuar ministrisë së Infrastrukturës për tu informuar më shumë mbi këtë investim.
‘Ne duam të dimë si do jetë aksesi në linjën e re hekurudhore, a do të përfshihemi dhe ne si pasagjerë, dhe akoma nuk kemi informacion’, thotë Lala.
Ajo thotë se transporti publik duke nisur nga Tirana, çalon për aksesueshmërinë në stacionet e urbanëve, mbipopullimin, mungesën e trajnimit të stafit për të ndihmuar në aksesin e personave me aftësi të kufizuara apo mungesa e itinerarëve në stacionet e urbanëve për ata që vijnë nga rrethet, për t’u orientuar.
‘Në Shqipëri nuk ka një taksi të aksesueshme dhe për diplomatët me aftësi të kufizuar që vijnë nga Rinasi drejt kryeqytetit. Edhe brenda urbanit nuk ka itinerare apo sisteme audio që të orientojnë personat që nuk shikojnë. Ndërsa transporti interurban, mund të themi se ka zero masa për personat me aftësi të kufizuar. Tek komisioneri për Antidiskriminimin kemi dhjetëra ankesa që lidhen me elementin bazë, aksesi i lëvizjes. Jemi taksapagues ne dhe familjarët tanë dhe na takon me ligj. Kemi vendime që na kanë dhënë të drejtë’, shton drejtuesja e Fondacionit ‘Së bashku’.
Një rast i fundit i ankesës tek Komisioneri lidhet me lëvizjen tek mbikalimet dhe ashensori në parkimet nëntokësore.
Rasti i fundit ankesë është për mbikalimin tek qendra 'Kristal' dhe ashensori tek sheshi 'Skënderbej' që nuk janë të akssesueshme, apo Piramida që si koncept ndërtimi për këtë kategori është përjashtues.
“Ne nuk jemi përfshirë në proceset e projektimit. Në mbikalime personat me aftësi të kufizuara e kanë të vështirë lëvizjen, ndaj shoqëruesit e tyre detyrohen të marrin në krahë karrocat', thotë Suela.
Pagesat e invaliditetit të pandryshuar, shoqatat kërkesë për rritje
Situata ekonomike pas pandemisë ka ndryshuar e megjithatë pagesat e invaliditetit vijojnë të njëjta.
Shoqatat e personave me aftësi të kufizuar kërkojnë nga qeveria të rishikojë këto pagesa pasi ata jetojnë nën minimumin jetik.
‘Personat me aftësi të kufizuar vuajnë për medikamente, shërbime jetike që nuk i plotësojnë me pagesat që marrin. Në rrethe kemi njerëz të braktisur që nuk kanë mundësi të paguajnë dikë për tu kujdesur. Mund të themi se progresi i deritanishëm është i ngadaltë dhe harresa e madhe', thotë Suela Lala.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.