Gazeta Si – Agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe prokurorë të SPAK-ut, kanë zbarkuar mëngjesin e kësaj të premteje në shtëpinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe në banesën e vëllait të tij, Arbër Veliaj.
Sipas burimeve paraprake, mësohet se agjentët e BKH-së, në banesën e kryebashkiakut në zonën e “Kodrës së Diellit” në Tiranë (siç e dëshmon dhe video e publikuar nga Gazetasi.al), kanë gjetur bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa dhe djalin e mitur, pasi Veliaj ndodhet për një vizitë zyrtre në Hamburg të Gjermanisë.
Gjithnjë sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, agjentët kanë sekuestruar telefonin e bashkëshortes së Veliajt në kuadër të një hetimi për deklarim të pasurisë.
Po ashtu, kontroll është kryer edhe në banesën e vëllait të kryebashkiakut të Tiranës, Arbër Veliaj. Sa i takon këtij të fundit, hetuesit kanë pasur vështirësi në gjetjen e banesës, por pas disa verifikimeve kanë arritur të gjejnë ambientin ku ai jeton. Në këtë banesë ku jeton me nënën e tij, dyshohet se janë sekuestruar dy telefona.
Ndërkohë, disa agjentë kanë shkuar edhe te selia e galerisë “Harabel”, e cila ndodhet në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku bashkëshortja e Veliajt ka një studio të artit bashkëkohor.
Mësohet se aty është ushtruar kontroll dhe kanë sekuestruar dokumente e materiale të ndryshme që kanë të bëjnë me hetimet e nisura në lidhje me pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij.
Sakaq, Bashkia e Tiranës, ka nxjerrë një njoftim që Erion Veliaj ndodhet në një takim në Gjermani me kryebashkiakun e Hamburgut, Peter Tschentscher.
Nga ana tjetër, Veliaj ka postuar sot në mëngjes një video të shkurtër nga kopshti zoologjik i Tiranës ku shfaqet një tigër!
Vendimi i sekuestrimeve dhe kontrolleve në banesa, është marrë nga gjyqtarja Atalanta Zeqiri, me kërkesë të prokurorit të SPAK, Olsi Dado.
Veliaj akuzohet për dosjen “5D”, ku janë arrestuar prej disa muajsh ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë dhe për inceneratorin e Tiranës, ku para disa kohësh u thirr në SPAK si person që ka dijeni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.