Drejtësia

Hetimi pasuror i SPAK, familjarët e Erion Veliajt ankimojnë vendimin e kontrolleve të BKH-së

Gazeta Si – Me argumentet se nuk ekzistonte asnjë shkak i ligjshëm për të ushtruar kontrolle, një javë pasi BKH shkoi në shtëpinë e çiftit Veliaj, Henrik Ligori, avokati i Ajola Xoxës, është ankuar në Gjykatën e Shkallës së Parë. Pas depozitimit, pritet që kjo e fundit t’i marrë në shqyrtim.

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, sekuestruan aparatin telefonik të Ajola Xoxës, e cila është bashkëshortja e Erjon Veliajt, kryebashkiak i Tiranës, si dhe kontrolluan banesën e të vëllait të tij, Arbër Veliaj. Ndërkohë që ankim bëri edhe ky i fundit me të njëjtin pretendim.

Të dy avokatët pretendojnë që kontrollet janë bërë në shkelje të ligjit procedural për mungesë shkaku të ligjshëm.

Hetuesit e BKH ishin në banesën e çiftit në orët e para të mëngjesit të 6 dhjetorit, pasi ndonëse u tregua i kursyer në informacion, SPAK njoftoi se po kryen disa veprime hetimore.

Kontrollet u ushtruan ditën e premte me urdhër të prokurorit Olsi Dado, ku agjentët e BKH sekuestruan celularin e Ajola Xoxës, si dhe ushtruan kontrolle në qendrën “Harabel”, ku Xoxa ështe bashkëthemeluese.

Në një komunikim publik, kryebashkiaku, i cili atë ditë ndodhej për një vizitë pune në Gjermani, tha se është i hapur dhe bashkëpunues me hetimet që të zbardhet e vërteta.

Përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, Veliaj ka sqaruar pozicionin e tij në lidhje me hetimet dhe kontrollin e të premtes nga BKH-ja, ku mes rreshtave, shprehu hapur edhe pakënaqësinë ndaj SPAK, duke thënë se i shkuan për kontroll në banesë pa një vendim gjykate.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë