Gazeta Si – GJKKO rrëzoi këtë të premte kërkesën e bashkëshortes së kreut të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe vëllait të tij, për kthimin e sendeve personale të sekuestruara nga agjentët e BKH në 6 dhjetor në banesat e tyre respektive, në kuadër të një hetimi pasuror të nisur nga SPAK. Vendimi u mor nga gjyqtarja Atalanta Zeqiri.
SPAK sekuestroi para dy javësh aparatin telefonik të Ajola Xoxës, bashkëshortes së Veliajt, si edhe disa materiale të tjera në galerinë “Harabel” dhe ambiente në pronësi të Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut.
Ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe familjarëve të tij ka nisur një hetim pasuror nga ana e SPAK.
Të dy avokatët e familjarëve të tij, pretendojnë që kontrollet janë bërë në shkelje të ligjit procedural për mungesë shkaku të ligjshëm.
Hetuesit e BKH ishin në banesën e çiftit në orët e para të mëngjesit të 6 dhjetorit, pasi ndonëse u tregua i kursyer në informacion, SPAK njoftoi se po kryen disa veprime hetimore.
Kontrollet u ushtruan ditën e premte me urdhër të prokurorit Olsi Dado, ku agjentët e BKH sekuestruan celularin e Ajola Xoxës, si dhe ushtruan kontrolle në qendrën “Harabel”, ku Xoxa ështe bashkëthemeluese.
Në një komunikim publik, kryebashkiaku, i cili atë ditë ndodhej për një vizitë pune në Gjermani, tha se është i hapur dhe bashkëpunues me hetimet që të zbardhet e vërteta.
Përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, Veliaj ka sqaruar pozicionin e tij në lidhje me hetimet dhe kontrollin e të premtes nga BKH-ja, ku mes rreshtave, shprehu hapur edhe pakënaqësinë ndaj SPAK, duke thënë se i shkuan për kontroll në banesë pa një vendim gjykate.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.