Ngjarje

‘Nuk ka autor tjetër, është e regjistruar në video’, Rama për vrasjen e Martin Canit: U përdor në mënyrën më abuzive

Nga Gazeta 'Si' - Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me prindërit dhe mësuesit në shkollën “Halit Coka”, në Kamëz në kuadër të diskutimit për kufizimin e rrjeteve sociale si TikTok tha se vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani u përdor “në mënyrën më abuzive, më skandaloze dhe më të pabesë ndaj opinionit publik”.

Sipas Ramës, me këtë ngjarje u abuzua ndaj prindërve, duke sajuar histori dhe vënë në pikëpyetje korrektesën e Policisë së Shtetit në raportim, duke shpikur një autor tjetër.

Ai theksoi se nuk ka një autor të dytë në vrasjen e të miturit dhe se këtë e provon videoja nga vendngjarja.

"Fatmirësisht, kjo vrasje është e regjistruar në video. Jo vetëm që është hetuar me detaje nga prokuroria, por është regjistruar në video.

Është nga A-ja te Z-ja si ka ndodhur, nuk ka një autor tjetër, nuk ka një thikë tjetër dhe nuk ka ndodhur siç mund të thotë imagjinata, kur vetvetiu, njeriu vendoset në krahun e viktimës. Një përleshje, nga ku, për fatin më të keq është shkaktuar një vdekje e një fëmije, ky është fakti. Dhe në këto bashkëbisedime kam dëgjuar me shumë vëmendje shqetësimin e prindërve që përtej TikTok-ut, është edhe gjithë çmenduria mediatike e Shqipërisë që nxitet nga politika, nxitet nga nevoja për të pasur sa më shumë audiencë dhe për ta përdorur me netë të tëra, me ditë të tëra shqetësimin që krijohet vetvetiu tek prindërit për t'i mbajtur ata mbas ekranit, duke iu treguar historira", tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë