Gazeta Si - Pas dorëzimit në polici si autor i vrasjes së Alfred Dedjas në Ndroq, Julian Gjoshi ka deklaruar para grupit hetimor se krimin e kreu pasi ndihej i ofenduar nga 50-vjeçari.
Sipas tij, Dedja e ofendonte sa herë që takoheshin. Takimin e fundit, 27-vjeçari ka thënë se e kishin pasur 10 ditë më parë. Edhe aty, ka treguar Gjoshi, ishte ofenduar nga viktima.
Sipas tij, ai gjatë kohës kur kanë qënë shokë e ka ndihmuar Alfredin dhe nuk e priste nga ai që ta shante pas krahëve.
“Ndihesha i ofenduar, pasi sa herë që takoheshim më shante e ofendonte. Jemi takuar edhe 10 ditë para ngjarjes dhe sërish më ka ofenduar. Ditën e ngjarjes e kam marrë unë në telefon dhe i kam thënë hajde se po të pres për kafe. Sapo u ul e qëllova me armë. Unë atë e kam mbajtur me lekë e bukë kur punonte menaxher te Golden, pronë e familjarëve të mi. Pasi kreva vrasjen u largova menjëherë. Pistoletën e hodha jo shumë larg nga lokali, në anë të disa shkurreve“, ka treguar Julian Gjoshi.
Për sa i përket armës së krimit, 27-vjeçari ka deklaruar se pasi ka kryer vrasjen, e ka hedhur nga xhami i makinës në Ndroq, jo shumë larg nga vendi i ngjarjes. Autori Gjoshi pasi kreu vrasjen kishte qëndruar në fshatin Shkallnur të Kavajës, në një hotel.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur Alfred Dedja është qëlluar me 5 plumba, 3 prej tyre e kanë kapur në trup duke humbur menjëherë jetën.
Një ditë më parë policia gjeti makinë e autorit në zonën e Shkëmbit të Kavajës, teksa të dy rezultojnë të skeduar për vjedhje dhe trafik narkotikësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.