Gazeta Si – Julian Gjoshi, autori i dyshuar i vrasjes së 50-vjeçarit Alfred Dedja, duket se e kishte pramenduar krimin që do të kryente.
Policia ende nuk ka arritur të bjerë në gjurmët e tij, por mesditën e kësaj të hëne, ka gjetur makinën tip "ML" me të cilën Gjoshi u largua pas vrasjes së Alfred Dedjas në lokalin ‘Kështjella’ në Ndroq.
Burime paraprake, bëjnë me dije se makina është gjetur në zonë e Shkëmbit të Kavajës në Durrës, por në brendësi të saj nuk ndodhej arma e krimit, e cila me sa duket është akoma në duart e autorit.
Duke rindërtuar skenën e krimit dhe sipas pamjeve filmike, hetuesit dyshojnë se 27-vjeçari ka qenë i ulur në një tavolinë të lokalit, duke pritur viktimën.
Sapo ky i fundit është futur në lokal, i riu është nisur drejt tavolinës së Dedjes, i cili ishte i vetëm. Në atë moment ka pasur një konflikt me fjalë dhe nga kamerat duken të inatosur me njëri-tjetrin.
Viktima 50-vjeçar pasi u konfliktua me autorin ka dalë jashtë lokalit duke qëndruar i distancuar në një tavolinë më vete.
Sapo është ulur në tavolinë 27 vjeçari është ngritur duke iu afruar tavolinës së viktimës ku dhe ka hapur zjarr ndaj tij.
Gjithnjë sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, Gjoshi nuk e ka nxjerrë pistoletën nga xhupi dhe ka qëlluar menjëherë nga xhepi ku e mbante.
Si pasojë e të shtënave janë dëmtuar edhe disa xhama të lokalit, që ktë të hënë janë mbuluar nga pronarët e restorantit.
Në bazë të verifikimeve të kamerave të sigurisë, hetuesit kanë arritur në përfundimin që ngjarja ka ndodhur në pak sekonda dhe askush nuk ka kuptuar dinamikën si ka ndodhur.
Më pas, Gjoshi është larguar menjëherë me automjetin që e mbante të parkuar në ambientet e jashtme të lokalit.
Makina është larguar më pas në drejtim të Durrësit. Aty janë përqendruar edhe kërkimet që prej të dielës në mbrëmje.
Ndërkohë gjatë natës janë marrë në pyetje disa persona, si familjarë të viktimës, po ashtu dhe familjarë të autorit, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë pasur dijeni të ndonjë konflikti mes dy palëve.
Skena e krimit është ende në perimetrin e sigurisë së policisë. Atje pritet të shkojë grupi hetimor për të ri-inspektuar zonën që ndodhi pasditen e së dielës.
Julian Gjoshi, kunati i Altin Hajrit, i shpallur në kërkim për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, rezulton me precedentë të mëparshëm penalë për armëmbajtje pa leje.
Emri i Gjoshit del edhe në përgjimet e “SKY ECC”, ku Hajri ka pasur komunikime me ish-deputetin e PS, Jurgis Çyrbja.
Në dosje, veç të tjerash, rezulton se Hajri kërkonte ndërhyrjen e Çyrbjes për lirimin e kunatit të tij (Gjoshit), i kapur me pistoletë pa leje nga policia.
Altin Hajri është pronari i kompleksit, “Golden”, ku para disa vitesh menaxher ka qenë pikërisht Alfred Dedja, i cili po ashtu mësohet se ka qenë i skeduar nga policia për vjedhje dhe trafik narkotikësh.
Pista kryesore ku janë përqendruar hetuesit, ka të bëjë me dyshimet se vrasja ka ndodhur për shkak të prishjes së pazareve të drogës mes autorit dhe viktimës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.