Rend dhe Ligj

Vrasja e 14-vjeçarit, këmbëngul policia: S’ka autor të dytë. Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha e mbështet: Tymnajë

Gazeta Si - Në një përpjekje për të përgënjeshtruar pretendimet e babait të Luis Meçes, i cili ndodhet i plagosur në spital pas sherrit me thikë ku mbeti i vrarë miku i tij Martin Cani, Policia e Shtetit këmbëngul se në ngjarjen e ndodhur pranë shkollës "Fan Noli", është pëfshirë vetëm një autor dhe jo dy.

Përmes një njoftimi për mediat, policia thotë se ky është një lajm i rremë, i cili me papërgjegjësinë e tij, nxit pasiguri dhe mosbesim te organet e rendit.

Sipas policisë, nuk ka një autor të dytë dhe kjo është e dokumentuar me prova shkencore dhe pamje filmike, të cilat deri tani nuk janë transmetuar për opinionin publik, pasi "ligji na ndalon ta publikojmë për shkak të sekretit hetimor".

“Pavarësisht komunikatave të Policisë së Shtetit, të cilat nuk janë lajme portalesh, po informacion për publikun me përgjegjësi të plotë ligjore, një sërë burimesh të hapura u angazhuan fort dhe vazhdojnë të dizinformojnë opinionin publik lidhur me autorësinë e ngjarjes. Kjo qasje shpërfillëse ndaj të vërtetës dhe lojë e pajustifikueshme me ndjenjat e publikut, e cila me qëllim apo me mungesë ndërgjegjeje të theksuar politike ose profesionale nga aktorët e medias, nxit pasiguri e mosbesim ndaj Policisë së Shtetit, duhet të ndalet. Nga ana tjetër Policia e Shtetit e siguron me përgjegjësi të plotë institucionale dhe ligjore opinionin publik se çdo version tjetër i ngjarjes në fjalë është i gënjeshtërt...", thuhet ndër të tjerë në reagim.

Sipas policisë, autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave te pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit.

Për praninë e një autori të dytë në vrasje, ka dëshmuar në media vetë shoku i Martinit ng spitali, i cili mbeti i plagosur, si dhe babai i këtij të fundit me deklaratat e tij.

Reagimi i ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka reaguar lidhur me pretendimet se në vrasjen e 14-vjeçarit Marin Cani ka një autor të dytë të përfshirë në krim.

Në një postim në rrjetet sociale, Hoxha thotë se konfirmon me përgjegjësinë e tij politike dhe ligjore vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit mbi dinamikën e ngjarjes teksa i cilëson “tymnajë” pretendimet lidhur me ekzistencën e një autori të dytë në ngjarje.

Hoxha shton se ngjarja është e regjistruar nga kamerat e sigurisë, të cilat thotë se tregojnë bllofin e madh të politizimit apo tregtimit mediatik të vdekjes.

Nga ngjarja e rëndë që tronditi opinionin publik mbeti i vrarë me thikë nxënësi 14-vjeçar Martin Cani, ndërsa shoku i tij u plagos.

Autori i dyshuar i ngjarjes, një bashkëmoshatar, është i arrestuar dhe ndodhet në Burgun e Kavajës. Nxënësit ishin pjesë e gjimnazit “Fan Noli” dhe krimi ndodhi pak metra larg shkollës.

Reagimi i Policisë së Shtetit:

Policia e Shtetit shpreh indinjatë për keqtrajtimin publik që kulmoi me lajmin e rremë të pranisë së një autori të dytë me thikë, në vrasjen tragjike të ngjarjen e datës 18.11.2024, ku humbi jetën nxënësi 14-vjeçar M. C.

Pavarësisht komunikatave të Policisë së Shtetit, të cilat nuk janë lajme portalesh po informacion për publikun me përgjegjësi të plotë ligjore, një sërë burimesh të hapura u angazhuan fort dhe vazhdojnë të dizinformojnë opinionin publik lidhur me autorësinë e ngjarjes. Kjo qasje shpërfillëse ndaj të vërtetës dhe lojë e pajustifikueshme me ndjenjat e publikut, e cila me qëllim apo me mungesë ndërgjegjeje të theksuar politike ose profesionale nga aktorët e medias, nxit pasiguri e mosbesim ndaj Policisë së Shtetit, duhet të ndalet.

Nga veprimet hetimore të deritanishme të kryera në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, veprime të cilat janë të bazuara në prova të pakontestueshme për ngjarjen tragjike dhe autorësinë e saj, rezulton se kemi të bëjmë vetëm me një autor, përshkruar edhe në komunikatat e Policisë së Shtetit dhe e regjistruar në materialin filmik të ngjarjes, të cilin ligji na ndalon ta publikojmë për shkak të sekretit hetimor.

Autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave te pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit.

Nga veprimet hetimore dhe procedurale në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, nga momenti që ka filluar ngjarja dhe në vijim të hetimeve, nuk ekziston autori i dytë i ngjarjes që është sajuar duke hedhur dyshime të ulëta mbi vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit.

Grupi i posaçëm hetimor po punon pa orar për të bërë dokumentimin përfundimtar ligjor të ngjarjes. Policia e Shtetit u bën thirrje publikisht të gjitha burimeve të informimit publik të mos vazhdojnë të hedhin dyshime të pabaza mbi këtë ngjarje tragjike. Nga ana tjetër Policia e Shtetit e siguron me përgjegjësi të plotë institucionale dhe ligjore opinionin publik se çdo version tjetër i ngjarjes në fjalë është i gënjeshtërt.

Policia e Shtetit bën me dije publikun se në çdo rast do të vazhdojë të informojë sipas të dhënave, provave dhe fakteve të përfituara nga grupi hetimor në këtë rast dhe në çdo rast, gjithmonë duke ruajtur sekretin hetimor dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë në këtë rast dhe kudo tjetër në çdo rast.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë