Nga Gazeta Si - Komisioni i Burgjeve vendosi sot për transferimin nga spitali të 14-vjeçarit që i mori jetën bashkëmoshatarit të tij Martin Canit.
Ky proces ka prej ditës së djeshme që zvarritej pasi mjeku i spitalit privat ku ndodhet autori nuk ka dhënë epikrizën.
Për këtë, Komisioni i Burgjeve ka vendosur që të vejë në dijeni policinë e Tiranës për mosbindje nga ana e mjekut të spitalit privat ku po mjekohet autori i dyshuar i vrasjes së Martin Canit.
Komisioni duhej të vërtetonte se në çfarë gjendje shëndetësore është i mituri në mënyrë që të vendoste ta transferonte nga spitali privat në spitalin e burgjeve në një seksion për të miturit ose ta transferonte në institutin e të miturve.
Komisioni konstatoi që me plagën ka 14 vjecari, për kategorinë e dëmtimit trajtimin mjekësor e ofrojnë edhe burgjet. Pas disa orësh, është bërë e mundur mbyllja e procedurave, dhe tashmë i mituri do të dërgohet në institutin e të miturve në Kavajë, pas dhënies së masës ‘arrest me burg’ ndaj tij.
Noka: Në ngjarje ishin 5 persona të përfshirë
Nënkryetari i PD Flamur Noka ka publikuar një dokument në rrjetet sociale për të cilin pretendon se është procesverbali i parë nga oficeri i policisë gjyqësore për vrasjen e Martin Canit, ku thuhet se në ngjarje ishin 5 persona të përfshirë.
Noka akuzon Policinë e Shtetit se po fsheh krime.
“Ja prova! Ja prova e dokumentuar që vrasësi i Martin Canit nuk ishte vetëm. Kupola e Policisë së Shtetit fsheh krime aty ku të përfshirë janë patronazhistët e Ramës dhe familjarë e fijet e narkoshtetit. Kupola blu është de facto një bandë me uniformë. Policë që vrasin, policë që dekonspirojnë, që fshehin e mbulojnë llumin me pushtet", shkruan Noka.
Ndërkohë, ditën e diel, policia doli me një deklaratë duke thënë se, “nga hetimet e deritanishme nuk implikohet një autor i dytë i përfshirë në këtë ngjarje”, sipas policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.