Gazeta Si - Në një mega-operacion të Prokurorisë së Posaçme në Elbasan dhe Tiranë, SPAK ka dhënë masat e sigurisë për 21 persona, të cilët dyshohet se janë pjesë e një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare.
Në një njoftim zyrtar për mediat, SPAK thotë se për 18 persona është caktuar masa "arrest me burg", ku përfshihen një ish-gjyqtare dhe një zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit.
Për avokaten e grupit të të shumkërkuarit nga drejtësia, Suel Çela, Blerina Beqiri, është caktuar "arrest shtëpie".
Ndërsa dy gazetarët e kronikës së zezë, Elton Qyno dhe Artan Hoxha, është caktuar masa e "detyrimit me paraqitje". Qyno akuzohet për "korrupsion pasiv në privat", ndërsa Artan Hoxha për "pjesëmarrje në grup kriminal".
"Në kuadër te hetimit të një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare, me kërkesë të Prokurorisë se Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurisë për 21 persona, ku përfshihen anëtarët e organizatës kriminale, një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar në detyrë gjatë kryerjes së aktivitetit kriminal, një avokat dhe dy gazetarë", - thotë SPAK.
Masat e caktuara të sigurisë janë si më poshtë:
Arrest me burg - 18 persona (përfshire ish gjyqtarin dhe zyrtarin e lartë të policisë së shtetit);
Arrest në shtëpi - 1 avokat;
Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore - 2 gazetarë.
"Operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë i cili po mbështetet nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare dhe evropiane, është në vijim. Me qëllim ruajtjen e integritetit të këtij operacioni, Prokuroria e Posaçme do të publikojë më shumë të dhëna rreth këtij hetimi ditën e nesërme", - thuhet në fund të njoftimit të SPAK.
Por sipas burimeve paraprake, janë arrestuar 2 ish-gjyqtarë, Pajtime Fetahu dhe Zihni Shahu, emrat e të cilëve rezultojnë se kanë dalë nga zbërthimet e aplikacionit të përdorur gjerësisht nga grupet kriminale, "Sky ECC".
Ndërkohë, është kontrolluar banesa edhe e ish-gjyqtarit të Elbasanit, Taulant Tafa. Mësohet se "arrest shtëpie" është firmosur edhe për avokaten e grupit të Suel Çelës, Blerina Beqiri.
Sipas hetimeve të deritanishme, bazuar në burime jo zyrtare, ka rezultuar se ata kanë pasur biseda për zbutjen e masës të sigurisë ndaj një personi që konsiderohet nga SPAK si pjesë e grupit kriminal, i cili është i përfshirë në trafikun e narkotikëve, por edhe krime të tjera kundër njeriut.
Sa i takon ish-gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu, ajo ndodhej me masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për akuzën e korrupsionit.
Emri i Fetahut ishte mes 33 urdhër-arresteve në kuadër të operacionit “Plumbi i artë” 2, ku u godit grupi kriminal i drejtuar nga vëllezërit, Franc dhe Hajdar Çopja, të përfshirë në trafik droge mes Belgjikës dhe Shqipërisë dhe të dyshuar si porositës të disa vrajeve me pagesë ndaj kundërshtarëve të tyre në Elbasan.
Sipas njoftimit të SPAK në gusht të këtij viti, punonjësja e gjykatës, Fetahu, u ka dhënë vëllezërve Çopja informacione sekret.
Fetahu akuzohet për korrupsion, ndërsa dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë më 16 nëntor 2022, vetëm pak ditë para kur duhej t’i nënshtrohej procesit të Vettingut.
Referuar të njëjtave burime, janë kontrolluar edhe disa banesa në pronësi të Suel Çelës, i shpallur në kërkim me urdhër të SPAK.
Berisha reagon për masat ndaj 2 gazetarëve
Për masat e dy gazetarëve reagoi edhe Kryetari i PD, Sali Berisha. Ai ka kërkuar heqjen e masës ndaj Elton Qynos, duke e diferencuar nga gazetari Artan Hoxha.
“Dënoj me forcën më të madhe vendosjen e masave kufizuese ndaj gazetarit guximtar Elton Qyno, i cili në një shërbim të madh ndaj vendit ka demonstruar me guximin më të madh lidhjet e Edi Ramës me krimin. Rrëmbimi i tij nga Altin Dumani është një nga ngjarjet me dramatike të Shqipërisë. Grabitja e telefonave të tij për të shpëtuar Edi Ramën nga dokumente që e komprometojnë atë në mënyrën më serioze duke filluar nga udhëtimi i tij në Aruba dhe dhurata gjysmë milionë euro e të tjerë përbëjnë një akt kriminal të vërtetë në mbrojtje të Edi Ramës. Kërkoj heqjen e menjëhershme të masave ndaj gazetarit Elton Qyno. I shpreh solidaritetin tim.
Ata që vendosën këto masa, por kërkojnë të mbyllin kanalet e transparencës së mediave. Vendosja e masave njëkohësisht ndaj Elton Qynos, gazetarit guximtar, trim dhe Artan Hoxhës, anëtar i damkosur i Bajrajve të partisë, i paguar nga bandat, por i mbrojtur nga Altin Dumani gjer së fundi sa u detyrua të vendosë një masë arrest shtëpie ndërkohë që informoj publikun se Artan Hoxha ka shkelmuar detyrën e gazetarit dhe është bërë anëtar aktiv i paguar i bandës "Bajri-Gjoka", të partisë. Nuk kanë asnjë lidhje këta dy gazetarë me njëri-tjetrin”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.