Drejtësia

Vrau 14-vjeçarin me thikë pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë, arrestohet autori i mitur

Nga Gazeta Si- Një ditë pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës 9-vjeçare ‘Fan Noli’ në Tiranë, policia ka arrestuar autorin e mitur. Në sherrin me thika pas mësimit më datë 18 nëntor, autori e goditi Canin me thikë në zemër, i cili ndërroi jetë në spitalin e Traumës.

Edhe autori është i mitur, 14 vjeç dhe ndaj tij rëndojnë dy vepra penale "Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit" dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta".

“Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në rrugën "Qemal Stafa", specialistët e  Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit arrestuan një të mitur 14 vjeç, për veprat penale "Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit" dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta", parashikuar nga nenet 79 pika a dhe 279 të Kodit Penal.

"Ky shtetas, ditën e djeshme, në afërsi të shkollës "Fan Noli", për motive të dobëta është konfliktuar me dy bashkëmoshatatët e tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ato me mjet prerës. Gjatë konfliktit janë dëmtuar të 3 të miturit”, njofton policia.

Nga sherri që dyshohet se mes të miturve ka nisur që të premten, humbi jetën 14-vjeçari Cani, u plagos shoku i tij Luis Meçja, si edhe autori i ngjarjes, por të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë