Drejtësia

Laboratorët e drogës / GJKKO lë në burg trafikantët e kokainës. Amerikano-latinët mohojnë akuzat: Në Shqipëri për mbjellje flokësh dhe turizëm

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, la në "arrest me burg" 10 personat e arrestuar në lidhje me trafikun e lëndëve narkotike nga Amerika latine drejt Shqipërisë.

Sasia e drogës futej përmes lëkurës së gjedhit nga vendet e Amerikës Latine dhe më pas përpunohej përmes dy laboratorëve të kokainës në Qerekë dhe Tiranë të zbuluar gjatë një operacioni të SPAK.

Ndërsa shqiptarët e arrestuar, nuk kanë dhënë deklarime në sallën e gjyqit, amerikanolatinët, dy nga Venezuela dhe një nga Kolumbia, kanë mohuar akuzat ndaj tyre.

Para GJKKO-së, dy venezualianët, Joze Ramon Zacarias Vasquez dhe Samuel Alfonso Moreno Serrano, kanë dhënë shpjegime se nuk kanë lidhje si të përfshirë për trafikun ndërkombëtar të kokainës, ku në pranga kanë rënë edhe 7 shtetas shqiptarë. Përmes avokatit të tyre, ata kanë thënë se janë paragjykuar, pasi janë nga vende të Amerikës Latine.

Sasia e drogës së sekuestruar

Njëri prej tyre ka thënë se ka ardhur në Shqipëri për të mbjellë flokët, shërbim për të cilin kishte prenotuar në një klinikë estetike në kryeqytet.

Ndërsa tjetri u shpreh se e arrestuan pasi po hante drekë me personat e arrestuar të përfshirë në trafik droge. “Po më paragjykojnë, unë kam ardhur si turist”, mësohet të ketë thënë ai.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe amerikanolatini i tretë i arrestuar në këtë rrjet. Shtetasi kolumbian, Hiwlen Ledezma Narvaez, 41 vjeç theksoi se kishte ardhur për turizëm në Shqipëri.

Droga, e cila futej në Shqipëri nëpërmjet lëkurës së gjedhit, ekstraktohej më pas nga kimistët nga Venezuela dhe Kolumbia në laboratorin në Qerekë të Fushë Krujës.

Materialet ndihmëse dhe vendet nga bëhej më pas shpërndarja e saj për tregun vendas dhe europian ishin dy banesa në Tiranë dhe Durrës.

SHQIPTARËT E ARRESTUAR

1- Geis Sejfullai 42 vjeç, banues në Tiranë
2- Klajdi Birçe 40 vjeç, banues në Tiranë
3- Artion Çaushllari, 37 vjeç, banues në Tiranë
4- Endi Sejdini, 25 vjeç, banues në Krujë
5- Aldi Zonja 37 vjeç, banues në Tiranë
6- Ismail Abdurrahmani, 51 vjeç, banues në Shkodër
7 – Baki Huqi, 57 vjeç, banues në Durrës

TË HUAJT E ARRESTUAR

1- Hiwlen Ledezma Narvaez, 41 vjeç, shtetas kolumbian
2- Joze Ramon Zacarias Vasquez, 35 vjeç, shtetas venezuelian
3- Samuel Alfonso Moreno Serrano, 42 vjeç, shtetas venezuelian

Të arrestuarit në GJKKO

SPAK njoftoi se ka qenë në dijeni të lëvizjeve të grupit dhe për këtë arsye i kanë mbajtur në vëzhgim për më shumë se dy muaj. 

Duke i mbajtur në vëzhgim, SPAK ka mundur po ashtu të përcaktojë se në rolin e financuesve dhe organizatorve të kësaj veprimtarie ishin shtetasit Klajd Birçe, Geis Fejsullai, Aldi Zonja dhe Artion Çaushllari.

Mësohet se pronar i ndërtesës ku ishte ngritur laboratori i drogës është Endi Sejdini, 25 vjeç, i cili kishte një mobileri në zonë dhe nuk rezulton person me rekorde kriminale. 

SPAK ka arritur të sekuestrojë 48 tonë lëkura gjedhi në të cilën është fshehur edhe lënda narkotike. Fillimisht grupi ka sjell ngarkesën e parë nga Amerika Latine në muajin shtator në Shqipëri.

Ndërkohë që sipas përgjigjmeve, ngarkesa e dytë nga vendet latine për në Tiranë ka qenë në muajin nëntor.

Operacioni u zhvillua në disa zona si Kavajë, Shkozet, Vorë, Kamëz, Qerek dhe Tiranë te Kodra e Diellit. Ndërkohë një punishte droge gjithashtu u zbulua në fshatin Qerekë të Fushë Krujës. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar disa kg lëndë narkotike e llojit kokainë dhe përzierës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë