Gazeta Si – Gjithsej 18 persona janë arrestuar dhe dy të tjerë nga Maqedonia e Veriut, janë shpallur në kërkim në lidhje me operacionin e koduar “USDT-1”, kundër mashtrimeve ekonomike dhe kriptomonedhave, ku dyshohet se këmbenin monedha virtuale pa licencë edhe grupet kriminale.
Drejtoresha e Krimit Kibernetik, Ervina Gjana tha në një deklaratë për mediat se nga kontrollet e ushtruara janë sekuestruar 13 pajisje kompjuterike, 27 celularë si edhe rreth 750 mijë euro.
Konkretisht: -është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: G. S., R. B., A. K., L. L., M. S., A. R., A. A., S. Gj., A. Gj., D. D., T. A., F. S., P. V., D. V., E. S., J. L. dhe A. B., të akuzuar për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare” dhe “Fshehja e të ardhurave”: është ekzekutuar masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për shtetasin V. L., si akuzuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Ajo bëri me dije se efektivët kanë ekzekutuar masat e sigurisë “arrest me burg” dhënë nga Gjykata e Tiranës për 18 persona.
Ata akuzohen për disa vepra penale, që nga ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare, fshehje të të ardhurave dhe moskallëzim i krimit.
“18 shtetasit e arrestuar këmbenin monedha virtuale pa licencë për kryerjen e kësaj veprimtarie. Nga kontrollet e kryera janë sekuestruar 13 pajisje kompjuterike, 27 celularë dhe rreth 750 mijë euro. Në koordinim me prokurorinë e Tiranës, vijonë hetimet për të vënë para përgjegjësisë të gjithë të përfshirët”, tha Gjana.
Gjana sqaroi se 18 të arrestuarit, në rolet e autorëve dhe administratorëve të subjekteve ekonomike në Tiranë e Shkodër, këmbenin monedha virtuale në para dhe anasjelltas, pa qenë të pajisur me licencën e nevojshme. Hetimet po vijojnë, teksa policia ka thekson se kriptomonedhat përdoreshin si mekanizëm pagese ndërmjet grupeve kriminale.
“Në koordinim me Prokurorinë e Tiranës po vijojnë hetimet për të nxjerrë përpara përgjegjësisë të gjithë shtetasit e implikuar në këtë veprimtari kriminale, të cilët kanë përdorur kriptomonedhat si mekanizma pagese ndërmjet grupeve kriminale”, u shpreh Gjana.
Si pasojë e kontrolleve në 32 ambiente të ndryshme janë sekuestruar rreth 750 mijë euro, para që sipas policisë dyshohet se i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale. Po ashtu, janë sekuestruar edhe 13 pajisje kompjuterike dhe 27 celularë.
Sipas burimeve paraprake, 6 nga masat e sigurisë, mësohet se janë pronarë pikash “Exchange”, të cilët këmbenin kriptomonedhat në bizneset e tyre.
Personat e tjerë janë bashkëpunëtorë që reklamonin aktivitetin në rrjetet sociale. Autoritetet dyshojnë se kemi të bëjmë me pastrim parash. Aktiviteti i tyre është zbuluar nëpërmjet agjentëve të infiltruar të policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




