Rend dhe Ligj

Pagesa nga 200-300 euro / Sollën në Shqipëri 5 shtetase kineze dhe i shfrytëzuan për pr*stitucion, pranga tutorëve

Nga Gazeta Si- Policia ka zbuluar një tjetër rrjet prostitucioni në Tiranë.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka finalizuar operacionin policor të koduar "Red Light 3".

Gjatë operacionit u ndaluan shtetasit A. W., 45 vjeçe, Zh. Y., 30 vjeç, për veprat penale "Trafikimi i personave të rritur", "Shfrytëzimi i prostitucionit" dhe "Mbajtja e lokaleve për prostitucion", kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale "Prostitucioni", parashikuar nga neni 113 i Kodit Penal, 5 shtetase kineze, si dhe për veprën penale "Moskallëzimi i krimit", shtetasi G. L., 62 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të procedimit, ka rezultuar se shtetasit A. W. dhe Zh. Y., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë sjellë në Shqipëri, 5 shtetase të huaja, të cilave iu kanë premtuar se do t’i punësonin në qendra masazhesh në Shqipëri. Pasi këto shtetase kanë arritur në vendin tonë, dy të arrestuarit i kanë shfrytëzuar për prostitucion, në ambiente (apartamente) të marra me qira.

Nga veprimet hetimore është dokumentuar ligjërisht fakti se autorët e dyshuar i reklamonin në faqe online, shtetaset që i shfrytëzonin për prostitucion, gjenin klientët, i prisnin ata në hyrjen e pallatit ku ushtrohej prostitucioni dhe pas kryerjes së pagesave që varionin nga 200-300 euro, i dërgonin klientët në apartament.

Materialet i kaluan Prokurorisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë