Gazeta Si - GJKKO ka dërguar në gjyq dosjen ndaj ish-kryebashkiakut të Himarës Jorgo Goro pas kërkesës së bërë dy muaj më parë nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, e cila e akuzon për shpërdorim detyre në dy raste dhe fshehje të pasurisë.
Goro kërkoi gjykim të shkurtuar, ndërsa gjykata do të shprehet në seancën e radhës për kërkesën e tij. Ai u arrestua në muajin mars të këtij viti, pas kallëzimit të depozituar nga Fredi Beleri, i cili la qelinë pak muaj më parë.
Për të njëjtën çështje, do të gjykohet edhe ish kreu i Kadastrës Vlorë, Bilbil Aliaj, i cili ndodhet në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, si dhe ish-juristi Vezir Gjikoka, i cili ka masën “arrest në shtëpi”.
Dosja në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro dhe 4 personave të tjerë lidhet me dy raste tjetërsimi pronash në jug të vendit, ku njëra dyshohet në favor të ish-deputetit Artan Gaçi, bashkëshortit të ish-ministres socialiste, Olta Xhaçka.
Goro është marrë i pandehur për veprat penale të shpërdorimit të detyrës në dy raste dhe fshehjes së pasurisë.
Në episodin e parë rezulton se ata kanë çuar për regjistrim një pasuri me dokumentacion të rremë.
Ndërsa në të dytin për një sipërfaqe toke kanë konfirmuar një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor.
Gjatë hetimeve të SPAK dyshohet se Jorgo Goro të ketë fsheur një apartament në Tiranë, me sipërfaqe 81 metra katrorë.
Për këtë pasuri organi i akuzës dyshon se Goro e ka regjistruar në emër të një personi tjetër, por që posedohet nga ish-kryebashkiaku.
Hetimet e SPAK për këtë çështje u inciuan pas kallëzimit penal, të bërë nga Fredi Beleri. Gjatë hetimeve Prokuroria e Posaçme dyshon se Goro ka abuzuar me detyrën edhe në një rast tjetër duke e rënduar edhe më shumë pozitën e tij në përballjen me drejtësinë.
Dy sipërfaqet e tokës që cilat janë mbi 10 mijë metra katrorë, janë të sekuestrura nga SPAK.
Ndërsa për çështjen tjetër që dyshohet se është abuzuar me mbi 4 mijë metra katrorë tokë vijojnë hetimet. Vetë Goro i ka mohuar akuzat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.