Drejtësia

Vrasja e vëllezërve Haxhia në Durrës, Gjykata e Posaçme e Apelit dënon me 25 vjet burg Klevis Allën

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit ka dënuar me 25 vite burg Klevis Allën dhe 5 vite burg Enver Divën për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia, ngjarje e ndodhur në Durrës në mars 2020, si dhe për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt.

Apeli ka prishur pjesërisht vendimin e Shkallës së Parë për Klevis Allën, si dhe ka vendosur të pushojë çështjen.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi: 1. Prishjen e pjesshme të Vendimit nr. 22, datë 02.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe pushimin e çështjes penale për sa i përket të pandehurit Z. K.A. lidhur me akuzën për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga nenet 80 dhe 25 të Kodit Penal. 2. Lënien në fuqi të Vendimit nr. 22, datë 02.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën tjetër të tij", - thuhet në njoftimin zyrtar.

Klevis Alla, i cili u dënua me 25 vite burg, e humbi statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, pasi ka dhënë deklarata të rreme, ku pretendoi se autor në vrasjen e dy vëllezërve Haxhiaj dhe shokëve Dorian Shkoza e Anxhelo Avdia, ishte pikërisht Talo Çela dhe Altin Ndoci. Vetë Alla, sipas GJKKO, ka qenë shofer i makinës me të cilën u transportuan vrasësit e vëllezërve Haxhiaj.

Ndërkohë, Altin Ndoci, edhe pse doli i pafajshëm në këtë proces, do vijojë të qëndrojë në qeli, pasi është i përfshirë në dosjen e operacionit “Plumbi i Artë”.

Ai akuzohet si bashkëpunëtor i vrasjes së Andi Zylyfit, ku mbeti i plagosur edhe Ardit Uruçi, ngjarje e ndodhur në dhjetor 2018 në fshatin Përparim në rrugën nacionale Elbasan-Peqin.

Zylyfi rezulton të jetë djali i hallës së Endrit Alibejt, teksa ky i fundit ishte vrarë një vit më parë, më 29 dhjetor të 2018, në atentat ku humbën jetën Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk, Erdal Duranay.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë