Nga Gazeta 'Si'- Kryetarja e Komisionit Hetimor për Sterilizimin, Albana Vokshi tha se gjatë pushimit, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj që pritet të dëshmojë, zhvilloi takime personale me deputetë të mazhorancës, ndërsa tha se ai futi në Kuvend materiale të forta.
Sipas Vokshit kjo është diçka e paprecedentë.
Teksa e cilësoi rastin e ish-ministrit skandaloz, Vokshi pyeti se si mundet që garda të mos kontrollojë Ilir Beqajn, ndërsa ajo vetë dhe deputetet e opozitës i janë nënshtruar kontrolleve të gardës 'edhe për një parfum.'
"Gjatë kohës së pushimit unë erdha për të marrë disa gjëra në këtë sallë dhe këtu ishte bërë një sallë pritje e ish-ministrit, shtetasit Ilir Beqaj, i cili ndodhej në mënyrë të pa autorizuar në këtë sallë.10 njerëz të ulur me polici, me gardën dhe jo vetëm ishin po ashtu të ulur brenda kësaj salle. E kishin bërë për këdo që është ndjerë i keqardhur për prangat e Ilir Beqaj.
Ju siguroj që ka pasur takime personale me të gjithë deputetët e mazhorancës dhe ka qenë i lirshëm të hyjë të dali madje përgatiti dhe ekspozita dhe foto", tha Vokshi ndërsa u ndal edhe tek fakti që Beqaj është lejuar që 'të fusë në ambientet e kuvendit materiale të forta.'
"Jo vetëm kaq por një ngjarje tjetër e rëndë për të cilën kam njoftuar kryetarin e kuvendit, kam njoftuar ministrin e drejtësisë, drejtorin e përgjithshëm, të gardës dhe ministrin e brendshëm sepse shtetasi Beqaj kur ka hyrë është lejuar që të fusi në ambientet e kuvendit materiale të forta të cilat ne si deputete nuk na lejohet që të fusim.
Unë jam ndaluar nga garda dhe nuk jam lejuar që të futem pa u bërë kontroll fizik pa u hapur çanta, pa u kontrolluar që të mbahen mjete të forta. Si mund të lejohet diçka që nuk i lejohet deputetëve t’i lejohet dikujt tjetër që s’ka lidhje fare? Si mundet që të jetë i preferuari i gardës?
Mua nuk më lejohet të sjell parfum me vete, më kontrollohet çanta, ndërsa Beqaj hyn me kutinë e zezë të metalizuar në sallë, di unë çfarë kishte brenda? Kjo është skandaloze. Ju bëj thirrje ndaluni. Ai është një shtetas i thirrur për të dëshmuar dhe duhet të respektohen procedurat që u respektuan edhe për të gjithë dëshmitarët e tjerë", tha Vokshi.
Pjesë nga debati:
Ndreca: Shqetësime me nota të larta dramatike, shqetësime që nuk kanë lidhje me këtë Komision. Beqaj me të hyrë në Kuvend është njeri i lirë, është thirrur si dëshmitar. Mund të fusë çdo gjë që ka të bëjë me dëshminë. Ne keni prova që është futur ndonjë gjë që nuk e lejon rregulloja…
Vokshi: Mua më ndalon Garda dhe u lejonka Ilir Beqaj, unë jam dhunuar fizikisht nga Garda, më kanë hedhur nga shkallët.
Ndreca: Nuk ka prova që është shkelur rregullorja, por nuk është çështje që i përket këtij komisioni. Thërrasim rendin e ditës, është antinjerëzore që mohojmë mundësinë dëshmitarit të thirrur nga ana jonë të flasë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.