Nga Gazeta 'Si'- Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka lënë përkohësisht qelinë për të ditën dytë radhazi për të dëshuar në Komisionin Hetimor për Sterilizimin dhe Check-Up, mandati i të cilit përfundon ditën e sotme.
Ish-ministri Beqaj mbërriti në Kryesinë e Kuvendit, ku zhvillohet mbedhja, rreth orës 10:25, i shoqëruar nga forca policie dhe me pranga në duar.
Por, ashtu si ditën e djeshme, Ilir Beqaj u kujdes që të mos i dukeshin prangat. Ai i mbuloi me një xhup të zi, ndërsa në duar mbante edhe një çantë.
Nuk dihet ende nëse Beqaj do dëshmojë sot apo do të jetë i njëjti skenar si dje ku komisioni dështoi.
Ndërsa ai pret në korridor, ashtu si edhe ditën e djeshme PD dhe PS nuk po gjejnë dakordësi mbi formën e prezantimit. Beqaj ka kërkuar të prezantojë deklaratën në formatin power point, gjë për të cilën opozita nuk është dakord.
Kryetarja Albana Vokshi njoftoi se pasi komisioni iu drejtua policisë për ndihmë në mënyrë që shtetasit italianë të silleshin për të dëshmuar, blutë kanë njoftuar se këta persona janë shtetas italianë jashtë territorit të Shqipërisë, dhe për pasojë nuk mund të veprohet.
“Policia na ka kthyer një përgjigje ku thuhet se këta persona janë jashtë territorit të Shqipërisë, por gjykoj që për sa kohë që secili prej personave Umbro Stalccini, Elisabetta Anzanello dhe Giorgio Tardioli, përveçse janë përfitues të kompanisë koncesionare kanë kompani të tjera të bazuara në legjislacionin shqiptar dhe përderisa janë përfitues të drejtpërdrejtë janë të detyruar të paraqiten në komision.
Nëse vijojnë të refuzojnë, opozita ka mendimin dhe propozimin që të dërgojmë një shkesë drejt autoriteteve italiane për t’i informuar dhe kërkuar ndihmën që këto shtetas të zbatojnë legjislacionin shqiptar”, tha ajo.
Ndërkohë nënkryetari socialist i Hetimorit për Sterilizimin, Plarent Ndreca u shpreh se sipas tij opozita ka ardhur kot në komision, pasi kanë vetëm synim agjendën e tyre politike dhe të zbardhin të vërtetën.
"I gjithë komisioni hetimor është një agjendë politike. Në asnjë moment gjatë gjithë komisionit ju nuk jeni kujdesur të bëni transparencë, por vetëm propagandë. Ju keni dalë në konkluzione para se komisioni të mbarojë punën e tij" tha Ndreca.
Nga ana tjetër anëtarët e opozitës në Komisionin Hetimor për koncesionet në shëndetësi nuk tërhiqen nga qëndrimi i tyre për të thirrur për të dëshmuar për këtë çështje kryeministrin Edi Rama dhe Vilma Nushin.
Ata kanë firmosur dokumentin ku kërkojnë këtë të mërkurë të dëshmojë Edi Rama në cilësinë e Kryeministrit i cili ka firmosur VKM-në për dhënien me koncesion të këtyre shërbimeve.
Po ashtu kërkohet thirrja si dëshmitare po këtë të mërkurë edhe e zonjës Vilma Nushi në cilësinë e pronares së dy kompanive e cila është pjesë e një prej koncesioneve objekt i veprimtarisë hetimore të këtij Komisioni.
Sipas anëtarëve të opozitës refuzimi i përsëritur nga ana e anëtarëve të mazhorancës në këtë Komision, për të thirrur Ramën dhe Nushin është tërësisht në kundërshtim me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese sa i takon Ligjit për Komisionet Hetimore dhe ligjet në fuqi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.