Nga Gazeta Si- Dëshmia e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj e cila duhej të kishte nisur në orën 10:00 u mbajt peng i replikave dhe debateve procedurale për 9 orë.
Seanca e sotme u mbyll me propozim të nënkryetarit të Komisionit, Plarent Ndreca.
Seanca e pyetjeve me ish ministrin Ilir Beqaj do të rinisë nesër në rreth orës 10:30.
Shkak i debateve dhe mosdakordësisë u bë kërkesa e Beqajt për të prezantuar deklaratën para komisionit hetimor për Shëndetësinë në formatin power point, por kjo nuk u pranua nga kryetarja e komisionit Albana Vokshi.
“Këtu Power point nuk lejohet, nuk është legjitime. Këtë e ka kërkuar dhe ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj. Nuk është e drejtë ligjore, nuk është lejuar. Sikurse është vepruar në komisionet e tjera hetimore do veprohet”, tha Vokshi.
Ndreca nga ana tjetër tha se kërkesa e zotit Beqaj është e avokatit të tij dhe se dëshmitari ka të drejtë ta bëjë kërkesën siç do ai.
“Heqja e së drejtës për të folur është shkelje e ligjit. Kush je ti? Ne vendosim”, tha Ndreca, i cili përsëri është kundërshtuar nga Vokshi e cila është kategorikisht kundër prezantimit me ilustrime.
Menjëherë kanë reaguar edhe anëtarët e tjerë në sallë, duke debatuar me Vokshin, e cila më pas është detyruar që të bëjë 5 minuta pushim për të qetësuar situatën, e cila edhe pas rikthimit, ka qenë po e njëjtë, me debate mes të dyja palëve, duke bërë që të kërkohet edhe një tjetër ndërprerje.
Kërkesa tjetër e Beqajt ishte të dinte nëse Komisioni hetimor do të ndikojë në çështjen e tij në Gjykatë.
“Në bazë të ligjit në statusin juridik ligji përcakton kur ju merrni lejen për dëshminë gjykata ju jep dhe një kornizë. Dua të di nëse ka ndonjë kornizë nga gjykata”, tha Beqaj të cilit iu përgjigj Vokshi duke i thënë se Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar që hetim parlamentar nuk ka mbivendosje për hetimin ndaj një dëshmitari.
Ndërkohë shtetasit italianë refuzuan përsëri që të paraqiten për të dëshmuar në komisionin hetimor të shëndetësisë për sterilizimin dhe Check-up.
Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi tha në komision se i është bërë njoftim Policisë së Shtetit për të marrë masa por nuk ka ende asnjë përgjigje, ashtu siç nuk ka asnjë njoftim nga 3 shtetasit italianë.
“Dita e enjte është afati i fundit i komisionit hetimor. Kemi pothuajse 10 dëshmitarë që është e pamundur të merren në pyetje. Kemi kërkuar Vilma Nushin dhe kryeministrin Edi Rama. Kemi paraqitur dy kërkesa që të paraqiten të dy, kemi dhe Artan Lleshin që është punonjës i kompanisë së sterilizimit dhe nuk është paraqitur, edhe pse është një dëshmitar kyç”, tha Vokshi, duke kërkuar shtyrje të afateve për të ezauruar të gjitha dëshmitë.
Por zv/kryetari Plarent Ndreca tha se nuk ka një instrument juridik për t’i detyruar shtetasit italianë që të vijnë dhe të dëshmojnë para komisionit.
“Ne kemi rënë dakord për ca dëshmitarë dhe këta janë ezauruar, dhe janë pyetur dëshmitarët më të rëndësishëm, përveç z. Altin Fanit. Përsa i përket afatit të komisionit mendoj që absolutisht nuk ka asnjë vend për ta shtyrë më. Janë marrë në pyetje dëshmitarët kryesorë”, tha Ndreca.
Pasdite ndërsa debati vijonte prej shumë orësh Vokshi u kërkoi socialistëve që të lënë ish-ministrin 'të hapë kutinë e zezë'.
“Gjykata e dinte situatën tuaj e dinte që do vinte dikush si zoti Ndreca që do bënte këto plane natën. E keni lënë Ilir Beqjan pa hapur kutinë e zezë. Nuk po e lini të hapë kutinë e zezë lëreni ta hapë”, tha Vokshi.
Ajo akuzoi socialistët se po bëjnë show dhe kanë pasur skenar të përgatitur për të penguar dëshminë e ish-ministrit Ilir Beqaj.
“Është krejt e lexueshme lëvizja juaj, e nxorët me pranga me duar vetëm për të bërë show ndërkohë që ju nuk doni ta vijoni, nuk doni të merrni dëshminë, doni të fshihni vjedhjet. S’doni të lëmë kohë të thirret Vilma Nushi e Edi Rama. Ky është skenar i përgatitur, mendova se s’do arrinit deri aty sa ta sillnit me pranga në duar, të bënit show. E keni futur në ngërç, nuk u intereson zbardhja e kësaj, u intereson të fshihni pagesat për analiza të pakryera, për sete që duhet të kushtonin 4 euro dhe kushtojnë 400 euro. Dua t’u bëj thirrje lëreni të bëjë deklaratën paraprake, të na vërë në dispozicion prezantimin që Beqja ka, të bëjë deklaratë kontenstuale dhe koncize që unë të vijoj me pyetjet e mia”, tha Vokshi.
Ndreca e akuzoi Vokshin si bolshevike që kërkon t’i imponohet mazhorancës dhe e pyeti se përse ka frikë nga power point i Beqajt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.