Gazeta Si – Institucionet e vuajtjes së dënimit të ndërtuara në kohën e komunizmit do të mbyllen për shkak se janë godina të amortizuara dhe i kushtojnë në mirëmbajtje buxhetit të shtetit.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, u shpreh veç të tjerash, se në buxhetin 2025 për këtë ministri, parashikohen shpenzime për një IVP në Kukës, sistem antidron për burgjet e sigurisë së lartë si dhe ndërtimin e një instituti për të miturit që do të ndërtohet në Tiranë.
Manja, konfirmoi në Komisionin e Ligjeve se në perspektivë, do të mbyllen burgjet në Tepelenë, Burrel, edhe ai i 302-shi tek “Mine Peza” në Tiranë.
“Kemi mbyllur institucione të vuajtjes së dënimit dhe do t’i vazhdojmë në perspektivë t’i mbyllim të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit që kemi trashëguar nga koha e komunizmit, – tha Manja. – Në perspektivë, sepse kanë një masterplan burgjet, do të mbyllet Tepelena, do të mbyllet Burreli, do të mbyllet edhe 302 tek ‘Mine Peza’. Janë institucione të vuajtjes së dënimit të trashëguara nga koha e komunizmit”.
Manja deklaroi se IVP që do të ndërtohet në Kukës, do të jetë në të mirë të shtetasve të Kosovës, të cilët janë të shumtë në numër, qofshin ata nën hetim apo të dënuar.
Fondet janë marrë me Aktin Normativ të nëntorit dhe sot që flasim për paraburgimin e Kukësit, çështje orësh që Drejtoria e Burgjeve do ta hedhë në sistem për t’iu nënshtruar procedurave të prokurimit publik. Paraburgimi i ri në Kukës do të ofrojë kushte shumë të mira, do t’i shërbejë jo vetëm zonës, por edhe për Kosovën. Me ndërtimin e paraburgimit të Kukësit dhe njësisë së të dënuarve, do të krijohet mundësia që të dënuarit ta vuajnë dënimin edhe në Kukës. Do t’i ofrojmë mundësinë në përputhje me ligjin ta vuajnë dënimin afër shtëpive”, – tha ministri Manja.
Ministri i Drejtësisë theksoi se do të ndërtohet edhe Instituti i ri i të Miturve në Tiranë, për të cilin tha se është i pari në llojin e vet në rajon.
“Presim fillimin e punimeve është lidhur edhe kontrata. Shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i institutit të të miturve, – tha Manja. – Sigurisht që do të hapet, kur të mbyllet institucioni i vuajtjes së dënimit për të miturit në Kavajë. Për punësimin në burgje, nuk kemi pasur probleme, kemi zbatuar kuadrin ligjor. Kemi bërë tentativa për t’i punësuar në sektorin privat, kërkesa kemi patur, por ende s’kemi bërë të mundur bashkëpunimin mes sistemit të burgjeve dhe atyre privat”- u shpreh Manja.
Manja bëri me dije se gjatë vitit 2025, pritet edhe instalimi i sistemeve antidronë në disa nga burgjet e sigurisë së lartë në vend.
“Sistemi antidronë, ka qenë mbi tavanët buxhetore. Do të instalohet sistemi antidronë në burgjet e sigurisë së lartë, burgu 303, burgu i Peqinit, Shkodra, Korça, Burreli dhe Fushë-Kruja. Është i domosdoshëm sistemi antidron” Manja nënvizoi me tej se në investimet kapitale do të përfshijnë edhe institucionin e Mjekësisë Ligjore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.