Nga Gazeta ‘Si’- Kremlini e ka pranuar fitoren e Donald Trump, por thotë se nuk është në dijeni të ndonjë plani të Vladimir Putin për ta uruar atë.
Zëdhënësi Dmitry Peskov tha gjithashtu se SHBA-të mbeten një vend jomiqësor ndaj Rusisë.
Ndërsa Dmitry Medvedev, zëvendëskryesues i Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse, dhe ish-president rus, ka thënë në platformën Telegram:
“Disa ditë më parë, kam shkruar në Telegram për konsensusin e ashpër dypartiak kundër Rusisë, në Kongres. Këto vëzhgime dalin të sakta, sidomos tani që shumicën në Senat e kanë republikanët. Mirëpo, Trump e ka një cilësi prej të cilës mund të përfitojmë të gjithë. Si biznesmen, ai ka aversion nga shpenzimi i parave për aleatë budallenj dhe organizata ndërkombëtare të këqija”.
Medvedev ka thënë se në këtë mes “hyn edhe Ukraina” dhe që pyetja tani është se sa do të ketë presion Trump për të ndarë fonde për luftën në Ukrainë.
“Ai është kryeneç, por sistemi është më i fuqishëm”, ka thënë ai.
Lufta e Rusisë në Ukrainë ka nisur në shkurt të vitit 2022. Shtetet e Bashkuara janë lidere në ndihmën që i kanë ofruar Kievit për të luftuar pushtimin rus.
Megjithatë, Trump e ka bërë të ditur disa herë gjatë fushatës zgjedhore, se heziton të ndajë fonde për këtë shtet.
Moska po i shikon nga afër ngjarjet dhe po analizon deklaratat e bëra në lidhje me të nga politikanët amerikanë, tha Peskov, duke shtuar se marrëdhëniet midis dy vendeve ishin në nivelin më të ulët historik.
Trump ka mbajtur më parë anën e Putinit lidhur me inteligjencën amerikane për ndërhyrjen në zgjedhje, ka ndaluar ndihmën nga Ukraina dhe ka kritikuar vazhdimisht NATO-n.
Megjithatë, ai ka dënuar gjithashtu pushtimin rus të Ukrainës dhe këmbënguli se ka një marrëdhënie të mirë me udhëheqësin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Një libër i kohëve të fundit nga gazetari veteran amerikan Bob Woodward sugjeroi se Trump dhe Putin kanë folur deri në shtatë herë që kur Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021, duke përfshirë edhe këtë vit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.