Nga Gazeta 'Si'- Kandidati republikan Donald Trump u zgjodh presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, duke shënuar një rikthim të jashtëzakonshëm.
Me një fitore në Uiskonsin, Trump siguroi 277 vota elektorale nga 270 sa janë të nevojshme për të siguruar presidencën.
Mëngjesin e së mërkurës ndërsa ende po numëroheshin votat, Trump shpalli fitoren në një tubim në Florida.
Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e nisi fjalimin duke falënderuar mbështetësit e tij e duke thënë se “do ta ndihmojë vendin të shërohet”.
“Do të rregullojmë kufijtë tanë dhe gjithçka në lidhje me vendin tonë. Kemi kapërcyer pengesa që dukeshin të pamundura. Është një fitore politike që nuk e ka parë kurrë Amerika. Do të luftoj për çdo qytetar dhe familjen e tij, nuk do të pushoj derisa të kthejmë Amerikën e begatë që meritojmë të gjithë. Kjo do të jetë periudha e artë për SHBA-në”, tha Trump.
“Duket se do të kemi kontrollin edhe të Dhomës së Përfaqësuesve. Dua të falënderoj edhe gruan time të bukur, Zonjën e Parë Melania, e cila ka librin më të shitur në vend”, tha Trump para se të përqafonte bashkëshorten e tij.
“Ne kemi arritur nivelet më të jashtëzakonshme politike, a nuk është një çmenduri? Vendi ynë nuk e ka parë më parë një gjë të tillë, falenderoj amerikanët, që zgjodhët presidentin e 47 dhe 48. Do të luftoj për të ardhmet tuaja. Nuk do të pushoj derisa të kemi tejçuar Amerikën në prosperitet, atë që e meritoni. Kjo është një fitore e jashtëzakonshme që do të na lejojë ta bëjmë Amerikën të jashtëzakonshme sërish. Kemi fituar shtetet e fushëbetejës, tani jemi duke fituar në vendet e tjera kritike. Kemi fituar votën popullore, është e jashtëzakonshme”, tha Trump.
Ai foli edhe për votën popullore.
"Ishte diçka shumë e këndshme, kemi një ndjesi të jashtëzakonshme dashurie, me njerëz të pabesueshëm që qëndrojnë krah meje. Kanë bërë rrugëtimin me mua dhe ne do t’ju bëjmë shumë të lumtur. Shpresoj një ditë të ktheni kokën pas dhe të shihni se votuat për këta njerëz.
Kemi marrë sërish kontrollin e senatit dhe zgjedhjet në Montana, Nevada, Texas, Michigan, Komonwelth, dhe të gjitha rastet secili prej tyre që kemi fituar për senatorët, ishte garë shumë e vështirë. E jashtëzakonshme të shihje këtë fitore, kemi senatorë shumë të mirë dhe mendoj se do të mbajmë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve", tha Trump.
Trump, teksa po mbante fjalimin e fitores, tha se zoti ia kurseu jetën për një arsye, duke iu referuar atentatit që iu bë disa kohë më parë teksa mbante një miting. Ai tha se do të rikthejë madhështinë e Shteteve të Bashkuara dhe se do të qeverisë me moton ‘Premtimet jepen, premtimet mbahen’.
“Por tani do të fillojmë diçka më të rëndësishme, të ndihmojnë të ndërtojmë vendin tonë. Do ta bëjmë vendin tonë më mirë se ka qenë në histori. Shumë njerëz më kanë thënë se zoti më kurseu jetën për një arsye, që të shpëtoja kombin tonë dhe të riktheja madhështinë.
Do ta përmbushim këtë mision të bashku. Puna përpara nesh nuk do të jetë e lehtë por do të marr çdo krah energjie dhe shpirti dhe do të luftoj. Do të qeveris me një moto të thjeshtë, premtimet jepen dhe premtimet mbahen”, u shpreh Trump
Trump i cili shërbeu si President në periudhën 2017-2021, u largua nga posti pasi humbi përballë Presidentit aktual Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020 për të cilat vazhdoi të pohonte në mënyrë të rreme se i kishte fituar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.