Nga Gazeta ‘Si’- Amerikanët po u drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e ri, mes dy kandidatëve, Kamala Harris dhe Donald Trump.
Të gjithë qendrat e votimit tashmë janë hapur. Në shtetet lindore ata nisën të hapen nga ora 05:00 (11:00 sipas kohës lokale të Shqipërisë). Votimet do të vazhdojnë në mbarë vendin.
Makineritë e votimit kanë pasur probleme teknike në Indiana, sipas asaj që raportohet nga lajmet e fundit. Vendvotimet u hapën siç ishte planifikuar por radhët e njerëzve po krijohen ndërsa stafi përpiqet të zgjidhë problemin.
Rezultati i kësaj gare të ngushtë nuk pritet të dihet për ditë të tëra në disa shtete sikurse Pensilvani, ku numërimi i votave me postë është proces më i ngadalshëm.
Më shumë qendra votimesh janë hapur, këtë herë në Ohio, Virxhinia Perëndimore dhe Karolinën e Veriut. Kjo do të thotë se gjithsej 11 shtete amerikane po mirëpresin votuesit.
Po sondazhet çfarë tregojnë?
Prej ditës së parë të fushatës, sondazhet për zgjedhjet presidenciale në SHBA kanë nxjerrë një përballje kokë më kokë mes Trump-Harris, teksa të dy kandidatët pretendojnë një avantazh karshi njëri-tjetrit.
Edhe në këto zgjedhje, janë të njëjtat shtete kyçe që mund të përcaktojnë fituesin dhe vëmendja e të gjithëve është drejtuar tek to. Sipas sondazheve të fundit, pak orë para votimit, vihej re një tendencë se nga mund të drejtohet vota amerikane.
Kështu, sondazhet nuk kanë një ndarje të qartë në Pensilvani, ku rezultati është kokë më kokë mes Trump dhe Harris. Ndërkohë, Trump pozicionohet në avantazh në 4 shtete, në Nevada, Georgia, Karolina e Veriut dhe Arizona, teksa Harris vetëm në 2, Uinskonsin dhe Miçigan.
Megjithatë, sipas New York Times Harris ka një epërsi prej 1.2 pikësh ndaj Trump në nivel kombëtar, një diferencë që ka mbetur mjaft statike ditët e fundit, megjithëse është tkurrur krahasuar me një muaj më parë.
Më shumë se 82 milionë amerikanë kanë votuar tashmë këtë vit, sipas një raporti nga Laboratori Zgjedhor në Universitetin e Floridës. Shifra përfaqëson më shumë se gjysmën e totalit të votave të hedhura në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Harris e kaloi ditën e fundit duke bërë fushatë në Pensilvani ndërsa Trump vazhdoi fushatën e tij nëpër Karolinën e Veriut, Pensilvani dhe Miçigan. Ai vazhdoi të sulmonte Harris-in për krimin dhe emigracionin, duke argumentuar se “ju do të keni kufij të hapur që në ditën e parë nëse ajo zgjidhet”.
Harris e mbylli ditën me një tubim të madh përpara Muzeut të Artit në Filadelfia, ku morën pjesë yjet e muzikës Lady Gaga dhe Ricky Martin, si dhe personaliteti me ndikim në media Oprah Winfrey.
Burimi: NYT Times; Al Jazeera / Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.