Nga Gazeta Si- Të shtëna me armë zjarri janë raportuar në Dobraç të Shkodrës pasditen e të mërkurës.
Rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip Benz, në lëvizje, me të cilin qarkullonin shtetasit Hamza Lici dhe Arlind Bushati.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën Lici, vëllai i të njohurit si “i forti” i Shkodrës, Ibrahim Lici dhe është plagosur rëndë Bushati i cili pas disa orësh ka ndërruar jetë në spital pasi ishte goditur në kokë.
Automjeti që udhëtonin shtetasit ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur një motoçikletë që udhëtonte shtetasi B.B dhe bashkëshortja e tij shtetasja F.B, ku si pasojë e përplasjes së automjetit me motomjetin ka ndërruar jetë shtetasja F.B dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital shtetasi B.B.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër, si dhe 2 grupe të Repartit Special “RENEA”.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Po në ndihmë të grupit hetimor është nisur dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale me një grup specialistësh të Drejtorisë për Hetimin e krimeve të Rënda.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, si dhe kanë ngritur pika kontrolli, për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
Ngjarja ka ndodhur në rrethrrotullimin e “5 Heronjve”, në zonën e Dobraçit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.