Rend dhe Ligj

Policia çon 16 deputetë të PD në SPAK për protestën me bllokim rrugësh. 4 të arrestuar dhe 195 të proceduar 

Gazeta Si – Në një njoftim të përbashkët të 5 drejtorive vendore të Policisë Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier dhe Lezhë, është raportuar zyrtarisht bilanci i të arrestuarve dhe të proceduarve për protestën e opozitës me bllokim rrugësh një ditë më parë.

Sipas policisë, janë referuar materialet në SPAK, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 16 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë (4 në Tiranë, 4 në Durrës, 3 në Fier, 3 në Elbasan dhe 2 në Lezhë) dhe për kryetarin e Bashkisë Kavajë, për veprat penale "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit", "Prishja e qetësisë publike" dhe "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Policia thotë se janë arrestuar 4 shtetas, 3 në Elbasan dhe 1 në Tiranë, për veprat penale "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik" dhe/ose "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit".

Ndërkohë, janë proceduar në gjendje të lirë, 195 militantë të opozitës, përkatësisht 92 në Durrës, 36 në Fier, 33 në Tiranë, 20 në Elbasan dhe 14 në Lezhë.  Sakaq, janë shpallur në kërkim 5 shtetas, përkatësisht 3 në Elbasan dhe 2 në Tiranë.

“Ditën e djeshme, këta shtetas janë grumbulluar në pikat lidhëse të qyteteve Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Lezhë dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve. Gjithashtu, disa prej tubuesve kanë lënë automjetet e tyre në rrugë, me qëllim bllokimin e qarkullimit. Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e drejtuesve të automjeteve me të cilat u bllokua qarkullimi, si dhe në drejtimin e prokurorive kompetente, po hetohet për të identifikuar shtetasit e tjerë të implikuar në paligjshmëri gjatë këtyre tubimeve”, njofton Policia e Shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë