Rend dhe Ligj

Elbasan / Tentoi t’i vendoste eksploziv në makinë Renato Çepës, por i shpërtheu në duar. Humb jetën Kristi Balukja. Dyshohet për një konflik të vjetër

Nga Gazeta Si- Një 25-vjeçar, Kristi Balukja ka humbur jetën në spital, pasi i ka shpërthyer një sasi tritoli që po i vendoste një automjeti tip “Volkswagen” në pronësi të shtetasit Renato Çepa. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:10 të mëngjesit të kësaj të marte në lagjen “Shënkoll” të Elbasanit, ku shkak dyshohet një konflikt i vjetër mes viktimës dhe shënjestrës.

“Rreth orës 04:10, në lagjen “Shënkoll”, dyshohet se 25 vjeçari Kristi Balukja duke vendosur lëndë eksplozive në automjetin tip “Volkswagen”, në pronësi të shtetasit Renato Çepa, lënda eksplozive ka shpërthyer dhe për pasojë 25-vjeçari është dëmtuar dhe transportuar në spital. Si pasojë e plagëve të marra, 25-vjeçari ka humbur jetën në spital”, njofton policia.

Sipas burimeve paraprake, nga hetimet del se Kristi Balukja, për shkak të një konflikti të vjetër për motive të dobëta, vendosi lëndë eksplozive në makinën e Renato Çepës, veprim që i mori jetën vetë autorit.

Ndërkohë shënjestra, gjithnjë sipas informacioneve paraprake, dyshohet se ka qenë pjesë e grupit të Emiliano Ramazanit, i vrarë disa vite më parë në Elbasan.

Teksa bomba po montohej në makinë, ajo ka shpërthyer dhe i ka shkaktuar dëmtime të mëdha të riut, i cili ndonëse u dërgua me urgjencë në spital ndërroi jetë në spital.

Për ngjarjen, është ngritur një grup i posaçëm hetimor me specialistë për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe Departamentit të Policisë Kriminale në drejtimin e Prokurorisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë