Drejtësia

Prokuroria e Tiranës mbyll hetimet dhe çon në gjyq dosjen për të shumëkërkuarin e drejtësisë, Fatjon Murati

Gazeta Si - Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq të pandehurin Fation Murati, i akuzuar për veprën penale të "Pastrimit të produkteve të veprës penale apo përfshirjes në veprimtari kriminale".

Me anë të një njoftimi, Prokuroria sqaron se nga tërësia e provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak rezultoi e provuar se, ky shtetas, me anë të pasurisë (para cash) të krijuar nga veprimtaria e kundraligjshme e vjedhjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike të zhvilluar në Itali, për periudhën 2014-2015, ka investuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, duke i transferuar ato në emër të familjarëve të tij (nënës dhe vëllezerve) me qëllim mbulimin e origjinës së tyre dhe për të shmangur çdo pasojë juridike të mëtejshme mbi këto prona.

Murati është aktualisht i kërkuar në nivel kombëtar për evazion në vitin 2015, ‘pranimin e mallrave të vjedhura’, ‘posedim abuziv të armëve’, ‘Pjesëmarrjes në krime’ dhe për ‘Trafikim të lëndëve narkotike’.

Prokuroria vendosi sekuestrimin e 5 pasurive të tij me vlerë 5 milion euro në atë kohë dhe vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për të. Por Gjykata e Apelit vendosi zbutjen e masës së sigurisë, duke vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Muratin.

Fatjon Murati është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi ai ishte i shpallur në kërkim nga policia, ndërsa emri i tij ka dalë edhe në masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë.

Murati ka qenë një nga personazhet që është kërkuar nga Prokuroria e Kurbinit për t’u marrë në pyetje. Prokuroria e Krujës kërkoi marrjen në pyetje të disa personave në lidhje me atentatin e ndodhur në gusht 2022 në zonën e njohur si mbikalimi i Fushë Krujës, ku mbetën të vrarë tre të rinjtë Brilant Martinaj, (nipi i Ervis Martinajt) Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.

Në 12 mars 2023, në lokalin e tij u vra banakierja Mimoza Paja dhe u plagosën dy të tjerë gjatë një atentati me armë zjarri.

Sipas policisë, në shënjestër të autorëve ishte Sahit Murati, xhaxhai i Fatjon Muratit, i dyshuar si vrasës me pagesë.

Murati ka ushtruar aktivitetin e tij në sportin profesionist para 12 viteve dhe është i njohur në botën e sportit. Ai ka garuar për titullin kampion bote në Federatën IBF Junior kundër Francesco Versaçit.

Në atë periudhë ai jetonte në Gjermani dhe në përballjen për titullin kampion, ai nuk regjistronte asnjë humbje.

Karrierën në boks Murati e kishte nisur në Shqipëri, ku edhe ishte spikatur për talentin e tij dhe në vitin 2008 ai hyri në boksin profesionist në Mynih të Gjermanisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë