Rend dhe Ligj

Kalonte ilegalisht emigrantë dhe siguronte viza turistike false për të huaj: Ndalohet futbollisti, 2 në hetim

Nga Gazeta Si – Një 21-vjecar, futbollist, është ndaluar nga policia pasi siguronte viza turistike të falsifikuara për shtetas të huaj, me qëllim hyrjen në Shqipëri dhe më pas kalimin në mënyrë të paligjshme në vendet e BE-së.

Gjithashtu janë proceduar penalisht 2 shtetas të tjerë, pasi dyshohet se ndihmonin 21-vjeçarin.

Policia ka sekuestruar 13 viza të dyshuara të falsifikuara, mandate transfertash, dokumente të tjera dhe 2 celularë. 

“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve me vendet e BE-së, nëpërmjet tranzitimit në territorin shqiptar, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur një rast të kësaj veprimtarie kriminale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Viza”. Gjatë operacionit u ndalua shtetasi Y. Z., 21 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit Sh. S., 43 vjeç, banues në Tiranë, dhe I. B., 27 vjeç, banues në Gjermani”, thuhet në njoftimin e policisë.   

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi Y. Z. siguronte viza të dyshuara të falsifikuara, kundrejt pagesës, për shtetas të huaj, kryesisht nga Lindja e Mesme, për të hyrë në Shqipëri, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve me vendet fqinje, për të kaluar më pas në shtetet e tjera të BE-së.       

Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit Sh. S. dhe I. B., të cilët dyshohet se ndihmonin 21-vjeçarin, në këtë veprimtari kriminale. 

Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë