Gazeta Si – Sipas një vendimi të dhënë nga gjykatësit e seksionit të migracionit në Romë, emigrantët nga Lindja e Mesme të zbarkuar në Shqipëri, duhet të kthehen menjëherë në Itali.
Kjo nuk ka të bëjë me marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë, por shkak është bërë një vendim i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, dhënë me 4 tetor, pak ditë para hapjes së qendrave në Shëngjin e Gjadër.
Sipas kësaj gjykate, që një vend origjine të quhet i sigurt, ai duhet të jetë i tillë në të gjithë territorin e tij dhe kundrejt çdo individi, i cili duhet të jetë i mbrojtur nga persekutimet, diskriminimet apo torturat në çdo cep të vendit.
Italia i quan vende te sigurta origjine Egjiptin, Bangladeshin apo Tunizinë. Por sipas përcaktimit të Gjykatës Evropiane te Drejtësisë, Gjykata e Romës thotë se nuk mund të konsiderohen të sigurta.
1.Çfarë do të ndodhë tani me emigrantët që do të zbarkojnë në qendrat italiane në Shqipëri?
Tre hipoteza hapen përballë kësaj çështjeje. E para, më e mundshme: dërgimi në një qendër pritjeje, ndoshta në Bari, porti i zbarkimit në Itali, në pritje të procedurave në lidhje me ankimin ndaj opinionit negativ të shprehur nga Komisioni Territorial i Ministrisë së Brendshme ndaj kërkesës së tyre për azil; e dyta, më pak e mundshme: të shoqërohen në Qendrën e Mbajtjes së Riatdhesimit (CPR), me rrezikun që ndaj tyre të nisin procedurat e dëbimit, nëse nuk jepet një pezullim nga gjyqtari; e treta, ajo e treguar nga Gjykata e Romës: të lëvizin të lirshëm në territorin kombëtar, pa mundur të largohet nga Italia, me një dokument qëndrimi të përkohshëm (që zgjat gjashtë muaj), si kërkues për mbrojtje ndërkombëtare në bazë të identifikimit me fotografi, të cilës tashmë i janë nënshtruar.
2.Sa kohë kanë emigrantët për të apeluar vendimin e Komisionit? Katërmbëdhjetë ditë nga data e njoftimit të refuzimit për të marrë pezullimin e dispozitës.
Komisioni ministror, i cili në këtë rast vendosi kundër kërkesës për azil, mblidhet në Shqipëri, ku, siç kërkohet nga ligji italian, duhet të dëgjojë emigrantët në një seancë dëgjimore të regjistruar me video, me ndihmën e përkthyesve dhe “duhet të vlerësojë çdo aspekt të historisë së emigrantit”, shpjegon juristja Silvia Calderoni, e projektit “Sportello legale onlus”, me qendër në Romë, e cila mbron një prej refugjatëve. Zakonisht njoftimi ndodh brenda 30 ditëve, në këtë rast ai mbërriti në 48 orë.
3.Pse gjyqtarja Antonella Di Tullio, e Seksionit XVIII Civil të Gjykatës së Romës, urdhëroi që emigrantët të largoheshin nga Gjadri?
Sepse e ka cilësuar si të paligjshëm ndalimin në objektet italiane në Shqipëri, pasi cenon legjislacionin ndërkombëtar dhe vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.
Në fakt, ligjet evropiane nuk e njohin origjinën e 16 emigrantëve si “vende të sigurta” (Bangladesh dhe Egjipt).
Italia, megjithatë, po, sepse i ka përfshirë në listën e përditësuar të publikuar në Fletoren Zyrtare më 7 maj 2024.
4.Për çfarë shërben përkufizimi i një vendi të sigurt dhe si do të ndryshojë ai? Kjo është një pikë thelbësore pasi përcaktimi i një vendi të sigurt është një parametër themelor në kufi për vlerësimin e kërkesave për azil dhe sipas rregullores së re europiane, lejon që të kryhen procedura të përshpejtuara për pranimin ose refuzimin e emigrantëve.
Më parë, sipas Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, një vend i tretë nuk mund të caktohej si vend i sigurt i origjinës nëse nuk demonstrohej se kishte rregulla demokratike dhe nuk kishte pasur raste torture apo diskriminimi.
Megjithatë, Pakti i ri përcaktoi se “përcaktimi i një vendi të tretë si vend i sigurt i origjinës, mund të bëhet me përjashtime për pjesë të caktuara të territorit të tij ose kategori njerëzish të identifikueshme qartë”.
Disa shtete tani po kërkojnë të paraqesin rregulloren e re (ajo hyn në fuqi në 2026), sepse do të jetë më e lehtë të refuzohen aplikimet për mbrojtje për njerëzit që vijnë nga vende të sigurta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.