Analize

Pro e Kundër/ Si marrëveshja Rama-Meloni për emigrantët po e ndan në dysh BE-në

Nga Gazeta 'Si' - Teksa në Bruksel po zhvillohet prej dy ditësh samiti për emigracionin, marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët duket se ka ndarë në dy kahe shumë shtete të Bashkimit Europian.

Ndërsa ka gjetur përkrahje dhe është parë me interes nga disa shtete, Spanja, Franca dhe Greqia kanë qenë më të zëshme për ta kundërshtuar këtë formulë.

Ndonëse fillimisht u pa si një model që mund të adaptohej nga vende të tjera Bashkimit Europian, presidenti francez Macron dhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez deklaruan se modeli Rama-Meloni nuk i zgjidh problemet me emigrantët por i krijon ato.

Macron tha se i vetmi model që funksionon për emigrantët është ai europian dhe shtoi se nëse veprohet në mënyrë të izoluar shkatërrohen interesat europiane.

Qëndrimi i tij gjeti përkrahje edhe nga Sanchez i cili deklaroi në mënyrë të prerë se Spanja nuk është pro formulave të tilla pasi sipas tij, nuk i adresojnë problemet por i krijojnë ato.

Macron dhe Sanchez deklaruan se modeli Rama-Meloni nuk i zgjidh problemet me emigrantët por i krijon ato.

“Kush do të na mbjellë ullinjtë?” / Edhe Mitsotakis kundër

“Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët, nuk mund të përsëritet për të gjithë bllokun, deklaroi  kryemininstri grek Kyriakos Mitsotakis i cili është shprehur skeptik ndaj thirrjeve për përhapjen e modelit Itali- Shqipëri në të gjithë bllokun.

Ai ka paralajmëruar kundër propozimeve për të transferuar politikën e BE-së për azilin tek vendet jashtë bllokut në fillim të një samiti të liderëve në Bruksel, ku emigracioni do të dominojë diskutimet.

“Më lejoni të jem i kujdesshëm këtu. Kjo është një marrëveshje dypalëshe. Nuk e di nëse mund të përsëritet në nivel evropian. Ne gjithashtu duhet të shohim nëse funksionon vërtet.

Këta persona procedohen sipas legjislacionit italian të azilit dhe çfarëdo që të ndodhë me ta, në një mënyrë apo tjetër do të kthehen në Itali. Nëse do ta bënim këtë në nivel evropian. . . ku do të shkonin?”, deklaroi kryeministri grek për Financial Times.

Mitsotakis bëri thirrje që BE të rrisë migracionin legal paralelisht me përpjekjet për të frenuar hyrjet e parregullta, pasi kishte një nevojë kritike për punëtorë (të kualifikuar dhe të pakualifikuar) në ekonominë e Evropës.

“Nëse doni të ndërtoni një gardh të madh, ju duhet gjithashtu një derë e madhe. Kush do të na mbledhë ullinjtë? Ne jemi një kontinent që po zvogëlohet dhe të gjithë e kuptojmë se për të ruajtur produktivitetin tonë, do të kemi nevojë për punë, të pakualifikuar ose të kualifikuar”, tha kryeministri.

Shtetet që janë pro formulës Rama-Meloni për emigrantët

Ndërkohë, nga ana tjetër kjo marrëveshje është parë nën optikë pozitive nga një numër i gjerë shtetesh.

Meloni prezanton marrëveshjen Itali-Shqipëri për qendrat e emigrantëve

Hungaria dhe Holanda deklaruan se marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët është shumë e mirë dhe se Holanda po mendon që të bëjë të njëjtën gjë në Ugandë.

“Italia po dërgon njerëz në Shqipëri dhe për ne është një model i mirë, një shembull i mirë. Ne në Holandë po mendojmë të bëjmë një gjë të ngjashme në Ugandë. Ka një erë të re në Evropë lidhur me emigrantët që po fryn gjithnjë e më e fortë dhe shpresoj se gjërat do të ndryshojnë”, shtoi lideri i Partisë holandeze të Lirisë, Gert Wilders.

Edhe kryeministrja daneze, Mette Frederiksen deklaroi se marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët mund të jetë një zgjidhje e re për menaxhimin e emigracionit.

“Evropa ka nevojë urgjente për të forcuar kufijtë e saj të jashtëm dhe për të riatdhesuar njerëzit që nuk kanë të drejtë të jenë në Evropë. Mund të jetë si bashkëpunimi që ekziston tani midis Italisë dhe Shqipërisë. Mund të jenë qendra pritëse jashtë Evropës, për të cilat ne punojmë prej shumë vitesh. Mund të jenë deportime, qendra e jo vetëm”, theksoi Frederiksen.

Edhe kancelari austriak Karl Nehammer deklaroi se me qendrat e riatdhesimit në Shqipëri, Italia tregoi si është të mendosh jashtë kornizave dhe të krijosh mundësi të reja.

Me qendrat e emigrantëve në Shqipëri krijohen mundësi të reja”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë