Taksa

Qeveria kërkon më shumë para nga turizmi. Parashikon vendosjen e një takse të sheshtë

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria shqiptare parashikon të vendosë një taksë të sheshtë për sektorin e turizmit.

Në Strategjinë e Turizmit 2024-2030, të sapopublikuar thuhet se do të rishikohet skema e taksës së turizmit dhe do të përfshihet një taksë e sheshtë aty. Nuk ka detaje se çfarë norme tatimi do të jetë taksa e re, por qeveria përllogarit se do të arkëtojë 14.8 mln euro nga kjo taksë dhe nw total, 85.1 mln euro deri në vitin 2030.

Po ashtu, drafti parashikon se të ardhurat totale nga turizmi do të arrijnë 6.7 mld euro ne 2030-n, nga 4.16 mld në 2023-shin.

Strategjia e re synon që të rrisë në 6 netë kohën mesatare të netëqëndrimit nga 4.8 që është momentalisht. Kapaciteti total i shtretërve parashikohet të rritet me një normë të përbërë rritjeje vjetore prej 8%, duke arritur në 477.414 shtretër brenda shtatë vitesh. Diversifikimi i motiveve të ardhjes në Shqipëri, i shoqëruar nga zhvillimi i mëtejshëm i produkteve dhe eksperiencave turistike, parashikon të zvogëlojë përqindjen e netqëndrimeve gjatë sezonit të pikut veror (qershor – shtator). Parashikohet që deri në vitin 2030, netqëndrimet jashtë sezonit të pikut do të përbëjnë afërsisht 35% të totalit të netë-qëndrimeve të regjistruar.

Në aspektin cilësor, qeveria synon të zhvillojë një turizëm të qëndrueshëm, produkte të reja dhe me avantazhe konkurruese. Përmirësimi i sistemit të menaxhimit të destinacioneve dhe i kuadrit ligjor janë qëllime të tjera të qeverisë për vitet e ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë