Menaxhim

Kësti mujor deri në 60% të të ardhurave, Banka e Shqipërisë ndryshon sërish rregulloren për mikrokredinë

Nga Gazeta 'SI' - Rregullorja e re për subjektet e mikrokredisë është publikuar në Fletoren Zyrtare pas miratimit nga Këshilli i Bankës së Shqipërisë. Por drafti ka pësuar disa ndryshime.

Një ndër masat e reja që BSH parashikonte në këtë draft ishte analiza e të ardhurave të qytetarëve që marrin kredi dhe të mos pranohej asnjë aplikim kur kësti mujor kalon 40% të të ardhurave mujore të klientit.

Në draftin e ndryshuar kjo masë është lehtësuar dhe 40% është rritur në 60% duke krijuar mundësitë që një konsumator të marrë kredi në vlera më të larta.

Rregullorja e re hy në fuqi në janar të 2025-s dhe synon mbrojtjen e konsumatorit nga abuzimet dhe shkeljet që mund të ndodhin në tregun e mikrofinancës.  

Një studim i shoqatës së mikrofinancës tregonte se konsumatorët që preferonin këtë sektor ishin kryesisht ata që punonin në një punë informale apo të mbështetur në të ardhura remitancë, ndihmë etj.

Nevoja për ndryshime në këto rregullore lindi pas skandalit “MicroCredit Albania” dhe “Final” ku në abuzim me ligjin kishin tjetërsuar pronat e debitorëve dhe u kishin shumëfishuar atyre penalitetet. Dosja u mbyll me vdekjen e dy personave; “trurit” të skemës së mashtrimit dhe një viktime të kësaj skeme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë