Drejtësia

Vrasja e Ardian Nikulajt, Ruben Saraiva sërish në gjyq, njihet me provat e reja të prokurorisë

Gazeta Si - Ruben Saraiva është paraqitur sërish këtë të mërkurë në Gjykatën e Lezhës për t’u njohur me provat e reja që e implikojnë atë në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.

Pas seancës pala mbrojtëse pretendoi se provat e paraqitura nga prokuroria nuk janë të mjaftueshme për përfshirjen e portugezit në vrasjen e biznesmenit në hotelin e tij në Shëngjin.

Avokati Kujtim Cakrani konfirmoi se Saraiva vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim para togave të zeza lidhur me ngjarjen dhe se është shprehur se do të jetë në gatishmëri të drejtësisë shqiptare.

Saraiva vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim para togave të zeza, e po ashtu është shprehur se do të jetë në gatishmëri të drejtësisë shqiptare

“Sot ishim këtu për zëvendësimin e masës së sigurisë dhe raportin 2 mujor që prokurori duhet t’ia paraqiste gjykatës. Prokuroria nuk ka ecur me hetimet. Kërkova sot ndryshimin e masës së sigurisë sepse nuk ka asnjë provë që të vërtetojë se ky person ka kryer veprën penale për të cilën hetohet, sepse e jemi në fazë hetimesh jo akuze”, shprehet avokati i portugezit. Seanca gjyqësore ndaj portugezit, është shtyrë për në datën 16 tetor.

Ardian Nikulaj u vra më 19 prill 2023 brenda lokalit të tij në Shëngjin. Sipas prokurorisë, porositës dhe organizator është Edmond Haxhia, i cili ka rënë në pranga, së bashku me tre britanikë, Thomas Mithan, Steve Hunt dhe Harriet Bridgeman.

Të katër këta janë prangosur, pasi autoritetet britanike kanë pranuar si të ligjshme kërkesën e bërë nga Policia e Shtetit. Për këtë ngjarje mbetet në kërkim Harry Simpson, i akuzuar gjithashtu si bashkëpunëtor.

Ruben Saravia iku nga Shqipëria përmes Doganës së Kapshticës, bashkë me britanikun Harry Simson, në drejtim të Greqisë.

Nuk dihet se çfarë rruge ka ndjekur portugezi për të mbërritur deri në Marok. Britanikët dyshohet se kanë qenë informatorë, ata kanë qëndruar pikërisht në resortin në pronësi të biznesmenit Ardian Nikulaj dhe sipas hetuesve, kanë vëzhguar për ditë me radhë lëvizjet e tij dhe të stafit, të cilat më pas ia raportonin portugezit.

Ruben Saraiva që dyshohet si ekzekutori i Nikulajat, u ekstradua në Shqipëri me 31-dhjetor të vitit 2023, pas vendimit të Gjykatës së Marokut, e cila pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare.

Shqiptaro-britaniku Edmond Haxhia, akuzohet se organizoi bandën për të ekzekutuar Nikulajn si pjesë e gjakmarrjes mes familjeve të tyre, e cila ka zgjatur gati tre dekada dhe tashmë ka çuar në shtatë vrasje.

Nikulaj besohet të jetë vënë në shënjestër, sepse ai akuzohet se ka vrarë me armë zjarri një anëtar të familjes rivale në vitin 1997 - që vetë thuhet se ishte si hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij të madh pas një grindjeje për një pagesë prej 5 £ benzine që filloi grindjen. Familja Nikulaj mohon se ai ishte vrasës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë