Rend dhe Ligj

Prezantohet Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Ilir Proda Ministri Hoxha: Hapim një kapitull të ri

Gazeta Si - Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, është prezantuar këtë të enjte nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.

Proda u prezantua në një ceremoni të shkurtër, ku të pranishëm ishin edhe drejtuesit e tjerë të Policisë së Shtetit. Ilir Proda u betua në përpara trupës policore për detyrën e tij të re.

“I nderuar zoti ministër i Brendshëm, në këtë çast solemn të veprës së të gjithë brezave të policisë shqiptare, në shenjë nderimi, detyrimi dhe respekti, për gjakun e punonjësve të policisë të rënë dhe të plagosur në krye të detyrës, në emër të të gjithë punonjësve të policisë së shtetit, të vendosur për të mbrojtur rendin dhe sigurinë publike, për të garantuar zbatimin rigorozisht të ligjit, në nderim tim personal betohem për të mbajtur me nder flamurin e policisë së shtetit”, tha Proda.

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, ndërsa ka prezantuar kryepolicin Ilir Proda, theksoi se tashmë hapet një kapitull i ri në rrugën e Policisë së Shtetit.

“Sot hapim një kapitull të ri në rrugën e përpjekjes së organizatës së policisë për tu rritur dhe zhvilluar profesionalisht. E vetmja vështirësi e drejtorit të ri edhe kjo në aspektin pozitiv mbetet standardi ku është ngritur policia e shtetit e cila duhet të vijë në rritje dhe konsolidim”, u shpreh ministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë