Rend dhe Ligj

Ilir Proda propozohet për postin e kreut Policisë së Shtetit. Kandidatura duhet të miratohet nga qeveria

Gazeta Si – Ilir Proda është emri i propozuar nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha për postin e Drejtorit të Policisë së Shtetit.

Nga 5 emrat e kualifikuar në listën finale, Proda është i përzgjedhuri nga ministri i Brendshëm, mirëpo kjo kandidaturë do të duhet të miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe kryeministri Rama.

Ilir Proda mban aktualisht postin e Drejtorit të Policisë së Elbasanit. Emrat e tjerë në listë ishin Altin Mena, Ardian Çipa, Neritan Nallbati dhe Skënder Hita.

Ai kaloi dhe filtrin e Vetting-ut, ku u certifikua i pastër në të tri shtyllat atë profesionale, pastërtinë e figurës dhe pasurinë. 

Në total në garë morën pjesë 15 kandidatë, nga të cilët vetëm 11 morën pjesë në intervistimin e komisionit të posaçëm, gjatë javës së kaluar.

Në komisionin e vlerësimit bënin pjesë zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme, Suzana Hoxha dhe drejtuesi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani.

Në fund të këtij procesi, ditën e premte 27.09.2024, Komisioni i Posaçëm i dorëzoi në bazë të ligjit Ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar, paraqitur si më poshtë sipas rendit alfabetik:

• Z. Altin Mena

• Z. Ardian Çipa

• Z. Ilir Proda

• Z. Neritan Nallbati

• Z. Skënder Hita

Karriera e Ilir Prodës

Prej tyre, Hoxha zgjodhi emrin e Drejtorit të Policisë Elbasan për të dërguar për miratim në Kryeministri. Policia e Shtetit drejtohet përkohësisht nga Sokol Bizhga, pas dorëheqjes së Muhamet Rrumbullakut.

Me një karrierë gati 19 vite në Policinë e Shtetit, Ilir Proda që së fundmi mbante prej marsit të vitit të kaluar postin e drejtorit të policisë Elbasan.

Proda ka nisur rrugëtimin e tij në uniformat blu në vitin 2005 fillimisht si specialist i policisë kriminale në komisariatin nr. 3. Më pas, për shumë vite ka shërbyer si specialist në komisariate dhe në drejtorinë e përgjithshme.

Në 2013-ën, ai emërohet shef komisariati, detyrë të cilën e mbajti gati një vit dhe dy vite të tjera, deri në vitin 2016 shërbeu si shef i komisariatit të Bulqizës.

Në korrik të vitit 2019, pasi merr gradën kryekomisar ai emërohet zv. drejtor për hetimin e krimeve në Korçë.

Ndërsa në vitin 2021 emërohet në po të njëjtën detyrë në policinë e Elbasanit. Në mars të vitit 2023, pasi mori gradën drejtues, ai u emërua Drejtor i Policisë Elbasan.

Proda ka diplomë avokati dhe master shkencor për të drejtë penale. Po ashtu ka marrë pjesë në kurse e seminare të ndryshme, ku është pajisur me certifikatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë