Mode

Skandali, supermodelja Naomi Campbell mblodhi para për bamirësi por i harxhoi për luks në hotele me 5 yje

Një hetim nga komisioni që mbikëqyr bamirësitë në Angli dhe Uells ka konstatuar se fondacioni i bamirësisë i supermodeles, Naomi Campbell ka keqmenaxhuar paratë që duhet të shpërndaheshin për njerëz në nevojë, duke i shpenzuar për hotele me 5 yje, spa dhe aktivitete të tjera të zhytura në luks.

Campbell përmes fondacionit “Fashion For Relief”, të themeluar në 2005 duhej të financonte kauza të mira, por pati një keqmenaxhimin serioz të fondeve.

Misioni i saj ishte të financonte organizata më të vogla dhe të jepte burime për t'iu përgjigjur fatkeqësive globale me qëllim zbutjen e varfërisë dhe promovimin e shëndetit dhe arsimit.

Në këtë kontekst ajo zhvilloi evente për mbledhjen e fondeve në Kanë dhe Londër, por kjo ishte vetëm fasadë, pasi hetimet që nisën në vitin 2021, zbuluan se vetëm një përqindje e vogël e parave shkuan për kauza të mira.

Në mënyrë të veçantë, nga prilli 2016 deri në korrik 2022, vetëm 8.5% e shpenzimeve totale të bamirësisë ishin në grante bamirësie, ose 389,000 dollarë nga 4.8 milion £ që mblodhi supermodelja.

Hetimi tregoi se fondet e bamirësisë shkuan, ndër të tjera, për të paguar qëndrimin e Campbell në një hotel me pesë yje në Kanë të Francës.

Në një rast në vitin 2018, një fluturim prej 14,800 € nga Londra në Nice u regjistrua për të transportuar art dhe bizhuteri në një ngjarje për mbledhjen e fondeve në Kanë. 9,400 euro të tjera u shpenzuan nga fondet e bamirësisë për tre netë në një hotel me pesë yje për Campbell.

Supermodelja shpenzoi gjithashtu gati 7,940 euro, krahas qëndrimit të saj në hotel, për të cilin u pagua nga bamirësia. Shpenzimet përfshinin trajtime spa, shërbim në dhomë dhe blerje të cigareve dhe produkteve hoteliere.

Në fillim të vitit 2024, fondacioni i Campbell u shpërbë dhe u hoq nga regjistri i bamirësisë. Komisioni sakaq ka vendosur ta ndalojë Campbell-in që të drejtojë një organizatë bamirësie për 5 vitet në vijim. Bashkë me të janë pezulluar edhe dy persona të tjerë që punonin për “Fashion For Relief”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë