Menaxhim

Skandali me mikrokreditë, Banka gati masat. Jo dy herë kredi për një individ. Këstet jo më shumë se 40% e të ardhurave

Nga Gazeta 'SI' - Banka e Shqipërisë ka materializuar kufizimet e reja për dhëniet e kredisë nga subjektet jobanka.

Në dokumentin që pritet të miratohet Banka ka vështirësuar kredimarrjen në subjektet e mikrokredisë, bazuar në rastet e zbuluara pas skemës së MCA dhe Final.

Fillimisht, BSH thekson se një individ nuk mund të marrë më shumë se 2 herë kredi në një subjekt mikro.

Një ndryshim me rëndësi është ai i vlerësimit të aftësisë paguese të kredimarrësit, ku Banka vendos që raporti i shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave të mos e tejkalojë vlerën e 40%.

Për shkak të skandalit gjigand me MCA e Final dhe shkeljet që ndodhin vazhdimisht në subjektet e mikrokredisë, Bankës i është dashur që në rregulloren e re të theksojë se ndalohet kredidhënia ndaj personave me aftësi të kufizuara, apo nën 18 vjeç.

“Subjekti, në vlerësimin e aftësisë paguese të kredimarrësit konsumator, edhe të ardhurat e disponueshme të kredimarrësit. Të ardhurat e disponueshme llogariten si të ardhura që mbeten pas zbritjes nga të ardhurat neto, siç përcaktohen në pikën 1 të këtij neni, të pagesave të kësteve të kredive dhe të një niveli të arsyeshëm të shpenzimeve të jetesës të kredimarrësit. Subjekti harton metodologji të brendshme për përcaktimin dhe përllogaritjen e shpenzimeve të jetesës së kredimarrësit. Të ardhurat e disponueshme duhet të jenë pozitive”, thuhet në ndryshimet e rregullores “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”.

Ndryshimi vjen disa muaj pas zbulimit të një skeme gjigande mashtrimi nga dy subjektet financiare Micro Credit Albania dhe Final, të cilat me anë të përmbaruesve, në shkelje me ligjin tjetërsuan pronat e kredimarrësve apo i bllokuan atyre llogaritë bankare.

Skandali preku edhe Bankën e Shqipërisë, guvernatori i së cilës, Gent Sejko, është nën hetim për shpërdorim detyre. Çështja i rezervoi Bankës edhe një kritikë nga presidenti i vendit Bajram Begaj i cili tha se BSH nuk ka marrë masat e duhura për të parandaluar skandalin që la dhjetëra qytetarë pa banesa dhe shkaktoi dy të vdekur, Pal Trashajn, debitor dhe Olsi Ibron, drejtues i Micro Credit Albania.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë