Menaxhim

Dyshimet për pastrim parash dhe llogari offshore, Tatimet do të krijojnë një regjistër për pasanikët e Shqipërisë

Nga Gazeta 'SI' - Qeveria parashikon të krijojë një regjistër me të gjithë individët e pasur në Shqipëri, njohur ndryshe si 10 përqindëshi.

Në Strategjinë Afatmesëm 2024-2027, thuhet se regjistri do të ketë 12.800 takspagues, që cilësohen si të pasur.

Qëllimi i këtij regjistri është shmangia e evazionit fiskal dhe verifikimin e pasurisë reale me atë të deklaruar. Që Administrata Tatimore të bëjë analizat e përputhshmërisë i duhet fillimisht regjistri.

“Akumulimi i pasurive të pajustifikuara - ku të ardhurat e deklaruara dhe burimet e fondeve janë qartësisht të pamjaftueshme për të financuar stilin e jetës dhe aseteve - është një faktor kryesor në minimizimin e besimit në sistemin tatimor”, shkruhet në dokumentin e Strategjisë.

Në 3 vitet e ardhshme, qeveria synon të përfundojë ngritjen e regjistrit dhe plotësimin e tij, përdorimin e të dhënave nga palë të treta, fatura, automjete etj. Kryerja e procedurave të auditimit për mbi 200 tatimpaguesit e përzgjedhur, bazuar në vlerësimin e riskut brenda viti 2026. Kryerja e të paktën 500 analizave hetimore brenda qershor 2027, bazuar në planet vjetore të AT. Si edhe shkëmbimi i këtij informacioni me administratat e huaja.

Drafti thekson se Tatimet do të kryejnë dhe analiza periodike mbi rastet e evazionit tatimor në lidhje me juridiksionet offshore. DPT ka hartuar një rregullore të brendshme që përcakton mënyrën e rrjedhjes së informacionit në DPT, si dhe mënyrën e monitorimit të bankave mbi zbatimin e verifikimit të duhur.

Aktualisht, DPT po ndërmerr një projekt pilot me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor të Shqipërisë për të krahasuar individët që zotërojnë makina luksoze me deklarimin e tyre të të ardhurave personale, (DIVA) si fazë e parë e këtij projekti dhe në të ardhmen për të zgjeruar shkëmbimin e informacionit në asetet e tjera të tatimpaguesit. Gjithashtu, po konsiderohen edhe individët subjekt sanksionesh në përputhje me marrëveshjen që vendi ynë ka me organizatat ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë