Ngjarje

Një shtet Bektashi në Shqipëri? Teologët kundër: Bektashinjtë mos ta lejojnë. Pastori Vilajeti: Krijon precedent të rrezikshëm

Nga Gazeta Si- “Selia Botërore e Bektashinjve mirëpret shpalljen e nismës së jashtëzakonshme për krijimin e Urdhrit Bektashi në Shqipëri si një entitet plotësisht sovran, duke sjellë një epokë të re për tolerancën fetare globale dhe promovimin e paqes”. Kjo ishte një pjesë e deklaratës zyrtare e bërë nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve pas lajmit se Shqipëria mund të ketë së shpejti një shtet sovran bektashi.

Por ekspertë të fushës nuk e shohin kështu, me disa prej tyre që presin pikërisht të kundërtën e tolerancës fetare.

Teologu Vladimir Kera tha për mediat se duhej të kishte një transparencë dhe duheshin pyetur grupet e interesit.

“Shqipëria ka shumë lloje sektesh të cilët kanë të drejtën e tyre të kërkojnë shtet në vend. Kush e ndalon që edhe Kisha Autoqefale të kërkojë shtetin e vet. Vetë bektashinjtë nuk duhet ta lejojnë këtë keqpërdorje për shkak të historisë së tyre që kanë në këtë vend. Duhet të ketë një konsensus nga të gjithë”, tha Kera.

Ndërsa teologu Justinian Topulli e sheh me shumë mosbesim nismën.

“Aty në tekstin e “New York Times”-it thoshte që “do të lejohen gratë pa shami”. Pse çfarë lidhje ka që duhet të përmendet ajo gjëja aty. Ose “do të lejohet përdorimi i alkoolit”. Pse duhet të përmendet?”, tha Topulli.

Sipas tij, kjo nismë bie ndesh me rolin historik që besimtarët dhe kleri bektashi ka luajtur në historinë e Shqipërisë.

“Bektashinjtë, për shkak të konfliktit që krijuan me Perandorinë Osmane, duke qenë se një pjesë e mirë, udhëheqja, ishin shqiptarë, theksuan identitetin kombëtar të shqiptarëve dhe nacionalizmin shqiptar dhe u bënë prej atyre të cilët kontribuuan. Dhe kontribuuan që këta shqiptarë bektashianë të ishin pjesë e këtij shteti. Dhe janë identifikuar gjithmonë si shqiptarë. Madje edhe e quajnë edhe Naim Frashërin si shenjtor Bektashi”, tha Topulli.

Në reagimin zyrtar, Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve shkruan se ky është një hap historik, një lëvizje që do t’i mundësojë Urdhrit të forcojë rolin e tij në nxitjen e dialogut global ndërfetar dhe në kundërshtimin e rritjes së ekstremizmit të dhunshëm në mbarë botën.

“Kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen e as nuk po kërkojmë ndikim apo pushtet politik. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë lirinë për të vazhduar traditën tonë shekullore të moderimit shpirtëror dhe përfshirjes fetare”, theksoi Kryegjyshi Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Por teologu Neki Kaloshi e sheh si një nismë që nuk vjen për shkak të nevojës.

“Bektashinjtë e kanë pasur lirinë për të vepruar dhe nuk është nevoja për të krijuar një shtet që i jep liri”.

Nga ana tjetër, Paulin Vilajeti e sheh si një precedent të rrezikshëm.

“Krijimi i një shteti Bektashi brenda Tiranës, krijon një precedent të rrezikshëm”, kështu u shpreh pastori Paulin Vilajeti.

Pastori tha se e quan të rrezikshme një shtet sovran të tillë, pasi kjo gjë sipas tij mund të krijojë precedentë që më pas sekte të tjera të kërkojnë shtetin e tyre.

“Është precedent i rrezikshëm. Unë kam 33 vite që lexoj në teologji e njoh historinë jo vetëm të krishtërimit, por shumë fe të ndryshme. India pavarësisht se ka numrin më të madh të hinduizmit, nuk ka një shtet për të mbrojtur hinduizmin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë