Drejtësia

Apeli i GJKKO lë në fuqi sekuestrimin e pasurive të anëtarëve të grupit kriminal të vëllezërve Çopja

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë fuqi masën e sekuestros për pasuritë e Arben Lamçes, Arjon Ormenaj, Klajdi Merkaj, Manjola Hysenaj, të shoqërisë “Elba Beton”, të “Hotel Demis”, anëtarë të grupit të dyshuar kriminal, i cili drejtohej nga vëllezërit Çopja.

Sekuestrot u vendosën pas operacionit nga Prokuroria e Posaçme më 31 korrik, ku kërkoi arrestimin e 33 personave, por që u arrestuan vetëm 11.

Ndërsa për dy të tjerë, u komunikua akuza në burg, pasi janë arrestuar më herët për vepra të tjera penale.

Grupi në fjalë, ku bënin pjesë vëllezërit Hajdar e Franc Çopja, akuzohen nga SPAK për një sërë atentatesh e vrasjesh, ndërsa ndaj tyre nisi edhe hetimi pasuror.

Franc Çopja u arrestua në Dubai dhe u ekstradua në Belgjikë në fund të vitit të shkuar për llogari të drejtësisë atje, ndërsa Hajdar Çopja vijon të jetë në kërkim, ku dyshohet se fshihet në Dubai.

Një pjesë e pasurive të organizatës kriminale të drejtuar nga Çopjajt, rezultonin në emër të Arben Lamçes, i arrestuar në Kosovë dhe i ekstraduar së fundmi në Shqipëri, ku akuzohet për sigurim kushtesh për vrasjen e Nuredin Dumanit dhe pastrim parash.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë