Nga Gazeta 'Si'-Më 11 shtator, qindra pjesëtarë të komunitetit serb janë duke protestuar para stacionit të policisë në Mitrovicën e Veriut në shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të katër të rinjve serbë një ditë më parë nga Policia e Kosovës.
Disa aktivistë serbë dhe qytetarë të Mitrovicës së Veriut kanë thënë se të rinjtë janë rrahur nga zyrtarët policorë, ndërsa Policia e Kosovës ka deklaruar se të rinjtë në fakt kanë sulmuar dy policë, dhe se gjatë arrestimit është përdorur forcë minimale për t’ua vënë prangat.
Protestuesit po mbajnë pankarta me mbishkrimin "Lironi fëmijët tanë" , "Policia e Kurtilandit" dhe "A është BE e shqetësuar?". Ata po përdorin bilbila për të shprehur pakënaqësinë e tyre. Në protestë ishte i pranishëm edhe anëtari i partisë Demokracia Serbe, i cili pretendon se Policia e Kosovës po përdor forcë të tepruar.
Më parë, për arrestimin e të rinjve reagoi edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit, duke theksuar se “brutaliteti i Policisë së Kosovës ndaj serbëve, nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti, është bërë përditshmëri në veri të Kosovës”.
Reagime ka pasur edhe nga Beogradi, duke pretenduar se Policia e Kosovës i ka rrahur të rinjtë, ndërsa nga Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë kanë deklaruar se ekziston një video e ruajtur që provon "torturën".
Katër të rinjve të ndaluar në Mitrovicë të Veriut, për “sulm ndaj personit zyrtar”, të martën u është caktuar masa e paraburgimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.