Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka vendosur të dërgojë në gjyq dosjen në ngarkim të Altin Hajrit, i dyshuar si kreu i grupit kriminal që vepronte në Shijak.
Hajri akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur në janar të vitit 2020. Gjykimi i tij pritet të bëhet në mungesë, pasi deri më tani ai nuk është mundur të gjendet nga autoritetet.
Ndërkohë, gjykimi për grupin kriminal është ndarë në disa pjesë. Më herët, gjykata ka dënuar Festim Bexhdilin, ndërkohë që ka nisur gjykimi për Dritan Rexhepin dhe të pandehurit e tjerë.
Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz për shkak se i vëllai i tij dyshohet se kishte vjedhur një sasi droge në Angli prej 260 kg kokainë.
Për shkak të dhunës së ushtruar në automjetin tip “Range Rover”, dyshohet se humbi jetën rrugës për në një resort në Shijak, aty ku shikohet i pajetë për herë të fundit në pamjet e kamerave të sigurisë.
Deri më sot, trupi i pajetë i Prengës nuk është gjetur ende, pavarësisht kërkimeve të policisë.
Sa i takon Dritan Rexhepit, ai u arrestua në Turqi pak muaj më parë dhe drejtësia turke ka pranuar ta ekstradojë në vendin tonë.
Rexhepi akuzohet si organizator dhe porositës i pengmarrjes së Jan Prengës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.