Ka ndodhur

Tentoi të kryejë veprime të turpshme me dy të mitura teksa po luanin në park, arrestohet një 56-vjeçar në Korçë (rasti i dytë brenda 10 ditësh)

Gazeta Si - Një 56-vjeçar, është arrestuar në flagrancë në Korçë, pasi dyshohet se ka tentuar të kryejë veprime të turpshme me dy shtetase të mitura në një park të qytetit.

“Komisariati i Policisë Korçë arrestoi në flagrancë shtetasin N. Zh., 56 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka tentuar të kryejë veprime të turpshme me dy shtetase të mitura”, - njofton policia.

Burime paraprake, bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në një lulishte pranë Shën Mërisë në qytetin juglindor, ku dy vajzat e mitura, përkatësish 7 dhe 8 vjeçe, ishin duke luajtur me njëra-tjetrën.

Gjithnjë sipas burimeve, 56-vjeçari u është afruar me pretendimin për të luajtur dhe nga dëshmitë e të miturave mësohet se ai ka tentuar t’i prekë në pjesë të trupit.

Policia e arrestoi 56-vjeçarin pas denoncimit të prindërve të dy të miturave, ndërsa pritet të dalë së shpejti para gjykatës për t'u njohur me masën e sigurisë.

Burime pranë Policisë së Korçës, thanë se N.B., ka kryer dhe me parë gjeste të turpshme në vende publike, por është proceduar nga policia në gjendje të lirë.

Në fakt, ky është rasti i dytë brenda dhjetë ditësh për tentativë abuzimi me të mitura në qarkun e Korçës. Më 30 gusht një 71-vjeçar u arrestua në Maliq, pasi familjarët e një 9-vjeçare e denoncuan në polici, pasi tentoi të kryejë marrëdhënie me vajzën në një kënd lojërash në fshatin Sheqeras.

Më pas, Gjykata e Korçës e la në burg 71-vjeçarin Pëllumb Lamçe, duke pranuar kërkesën e prokurorisë, e cila e akuzon për veprën penale të “marrëdhënie seksuale me të mitur”, e mbetur në tentativë.

Deri në këtë fazë të hetimit, veç dëshmisë së të miturës, familjarëve dhe një 27-vjeçareje, e cila e shpëtoi, prokuroria administroi si provë materiale edhe disa pamje filmike të bëra nga e reja në momentin kur edhe i moshuari, edhe e mitura kanë qenë të dy gjysmë të zhveshur.

Gjatë pyetjeve nga prokuroria dhe gjykata, i moshuari ka mohuar akuzat, duke thënë se nuk ka ngacmuar as të miturën dhe asnjë vajzë tjetër, ndërsa ka shfaqur çrregullime mendore duke folur për pronat që kishte pasur në fshat dhe që ia kishin marrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë