Rend dhe Ligj

Parandalohet futja e një droni në burgun e Burrelit nga një grup kriminal. Kontrollohen listat e të dënuarve që kanë kërkuar ajrim

Gazeta Si - Përpjekja e futjes së një droni për qëllime të paligjshme është parandaluar nga policia një ditë më parë në burgun e Burrelit.

Droni i kapur nuk përmbante sende të ndaluara, por hetimet kanë treguar një tendencë të grupeve kriminale për të marrë pamje nga brenda burgjeve të sigurisë së lartë, me qëllim mbledhjen e informacioneve për veprimtari të mëtejshme të paligjshme.

Në një njoftim të policisë së Burgjeve për mediat, thuhet: ”Inteligjenca operative e sistemit ka administruar të dhëna të besueshme mbi planet e një grupi kriminal për të futur sende të ndaluara në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Burrel. Në përgjigje të kësaj, janë ndërmarrë masa të menjëhershme, duke përdorur teknologji digjitale të avancuar, për të parandaluar çdo përpjekje për realizimin e qëllimeve të tyre kriminale”.

Prokurori i Dibrës, Abaz Muça, i cili po ndjek rastin, ka kërkuar nga IEVP Burrel listën e personave që kanë kërkuar për të dalë një ditë më parë (8 shtator) në ajrim në Burgun e Burrelit.

Dyshohet se përmes paisjes fluturuese, është tentuar të futet drogë, thikë ose sende të tjera të paligjshme.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi zbulimin e dronit, duke shtuar tendencën e grupeve kriminale për të filmuar ambientet e burgjeve.

Disa nga burgjet e sigurisë së lartë në Shqipëri janë me bllokues valësh për të parandaluar komunikimet e fshehta telefonike të të dënuarve dhe kjo masë dyshohet se ka ndikuar që grupet kriminale të përdorin mjete të tilla fluturuese.

Aktualisht, pajisja fluturuese do t’i nënshtrohet ekspertimit daktiloskopik me qëllim identifikimin e gjurmëve papilare, dhe më pas ekspertimit kompjuterik për të identifikuar numrin IMEI dhe çdo informacion të administruar nga kjo pajisje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë